Në fundjavë rinis kampionati i Superiores dhe thuajse të gjitha skuadrat do të zbresin në fushë me po atë kontigjent futbollistësh që kishin në vitin 2020. Deri në këtë moment të merkatos së dimrit mungojnë zyrtarizimet, ka vetëm dëshira dhe ndonjë akord paraprak.
Sido që të shkojë, përforcimet do të jenë me “pikatore” në janar. Tiranës iu bllokua merkatoja nga FIFA, pasi ka humbur një gjyq me një ish-lojtar të saj për një shumë të kunsiderueshme. Vendimi i fundit zhvlerësoi edhe afrimin e bujshëm të Taulant Seferit. Edhe klubet e tjera, që mezi e prisnin hapjen e merkatos, nuk po afrojnë dot futbollistë dhe kuptohet qartë që këtu ndikon drejtpërdrejt pamundësia financiare.
Mjafton të përmendim rastin e Ferhan Hasanit, fantazistit që synohej nga Tirana dhe Partizani, por që tashmë ka firmosur në Indi. Po ashtu, klubet e Superiores sfidohen edhe nga kampionati kosovar, ku ka më shumë likuiditet dhe shumë lojtarë preferojnë ta largohen nga Shqipëria drejt Kosovës për garanci më të madhe financiare. Behar Ramadani, i larguar nga Vllaznia, sapo ka firmpsur në Kosovë. Drejt kësaj rruge është edhe Donald Rapo i larguar nga Laçi, ndoshta edhe Sebino Plaku që ka lënë Kastriotin.

Partizani, pas zhbllokimit të merkatos, po përpiqet të forcojë organikën dhe ka në shënjestër lojtarë si Murataj i Bylisit, brazilianin Stenio Zhunior që ka luajtur me Shkëndijën e Tetovës, por edhe Seferin. Koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë konkretisht. Skënderbeu ka kthyer në Superiore Vangjel Zguron, ndërsa skuadrat e tjera ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje.
Një panoramë e qartë për varfërinë e merkatos së dimrit. Në këtë periudhë është përgjithësisht e vështirë të gjesh lojtarë me kualitet, por këtë herë 10 klubet e Superiores duket se e e kanë gati të pamundur të veprojnë në treg për të forcuar grupin. Problemi kryesor ka të bëjë me financat, pastaj vjen ana menaxheriale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje