Ende pa u dëgjuar vërshëllima përfundimtare e kampionatit, kanë nisur lëvizjet e merkatos, duke nisur nga trajnerët e për të vazhduar me lojtarët. Do jetë një merkato ndryshe, për shkak të kohës së limituar, ndaj dhe klubet, por edhe vetë lojtarët kanë nxituar të mbyllin marrëveshjet.
Ilir Daja, në ndeshjen e fundit në stolin e Skënderbeut, mundi thellë Partizanin, sipas të gjitha gjasave, ekipin e tij të ri. Mungon zyrtarizimi, duke përjashtuar ndonjë surprizë të sekondave të fundit. Të lodhur nga italianët, të kuqtë janë të vendosur për ta lënë ekipin e një trajneri ekspert si Daja, i cili ia doli ta mbajë Skënderbeun në nivele të larta, pavarësisht organikës dhe dënimit që korçarët kanë në Europë.
Skënder Gega është shumë pranë kthimit në Superiore, në stolin e Kukësit, pranë të cilit ka qenë edhe dy herë të tjera. Ditët e fundit ish-trajneri i Partizanit është parë të takohet me drejtuesit e Kukësit që nuk u bindën nga Orges Shehi. Edhe në këtë rast pritet zyrtarizimi. Emanuel Egbo, trajneri kampion, është konfirmuar nga presidenti i Tiranës, Refik Halili, por gjithçka do të varet nga ecuria e skuadrës në Ligën e Kampionëve. Që tani ka zëra se po punohet për trajnerin e ri.

Te merkatoja e lojtarëve, interesant është rasti i portierit Enea Koliçi. Ai ishte në fushë me Skënderbeun, teksa klubi i Gjilanit në Kosovë e prezantonte si blerje të radhës. Marrëveshja ishte arritur më parë dhe tashmë portieri i njohur i Superiores do t’i bashkohet skuadrës së Gentian Mezanit në kampionatin kosovar, aty ku luajnë shumë futbollistë shqiptarë. Zyrtarisht është larguar nga Skënderbeu edhe mesfushori Bruno Dita, i cili i ka dhënë lamtumirën klubit me një postim në Facebook. Dita do të veshë fanellën e Shkëndijës së Tetovës në vazhdim.
Një tjetër lëvizje e sigurt është largimi i Sherif Kallakut nga Teuta. Mesfushori fantazist ka shkëlqyer këtë sezon dhe ka rënë dakord për kalimin te Lokomotiva e Zagrebit, oazi kroat i të rinjve shqiptarë. Në këtë rast, klubi durrsak humb një futbollist me shumë vlera, por përfiton rreth 150 mijë euro. Eglentin Gjoni, mbrojtësi i Laçit, largohet pas 5 sezonesh nga ky ekip dhe firmos me Llapin në Kosovë.

Tirana dhe Partizani janë në garë për mesfushorin Sabjen lilaj, ish-lojtar i Kombëtares që së fundi ka luajtur në Izrael. Vetë lojtari e ka pranuar interesimin e dy klubeve kryeqytetase, por ende nuk e ka marrë vendimin final. Mundësitë më të mëdha janë që ai të ndjekë trajnerin Ilir Daja te Partizani, edhe pse e kaluara e lidh me Tiranën. Këto janë vetëm lëvizjet e para të merkatos, që këtë herë do të ketë ritëm më të lartë, duke qenë se duhet të mbyllet shpejt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje