Në vorbullën e merkatos nuk janë të përfshirë vetëm futbollistët, por edhe trajnerët. Madje, për këta të fundit gara është mjaft e fortë, kur bëhet fjalë për klubet më në zë të Europës. Barcelona, për shembull, është në kërkim të trajnerit të sezonit të ri, pasi me Kike Setien duket se nuk do të jetë e gjatë.
Holandezi Ronald Koeman ishte një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Ernesto Valverden. Ai ka pranuar së fundi se ka qenë në kontakte me klubin katalanas. “Po, më telefonuan nga Barcelona, por u thashë “Jo”, për shkak të impenjimit tim me Holandën. Nuk mund ta lija ekipin kombëtar 3 muaj para se të fillonte Europiani”, – ka thënë Ronald Koeman për spanjollen “Marca”. Ndoshta refuzimi i ish-lojtarit të Barcelonës ka bërë që drejtuesit e klubit të vendosnin më pas për Kike Setien.

Një nga emrat më të lakuar në tregun e trajnerëve është italiani Masimiliano Alegri, i cili duket më afër PSG-së në Francë. Edhe pse me kampionatin thuajse të fituar dhe çerekfinalen e Championsit në “xhep”, e ardhmja e Thomas Tuhel duket larg Parisit. Leonardo, sipas “Foot Mercato”, kërkon një trajner të ri dhe i zgjedhuri i tij është pikërisht Alegri. Drejtuesi i PSG-së ka nisur kontaktet me njerëzit pranë ish-trajnerit të Milanit dhe Juventusit. Për trajnerin toskan thuhet se ka nisur të studiojë anglishten, pasi parapëlqen Premier League, por oferta e PSG-së mund të jetë joshëse, aq më tepër që në mes është Leonardo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje