Kancelarja Angela Merkel paralajmëroi në një deklaratë të fundit se vala e dytë e koronavirusit do të jetë më e rëndë se e para, duke e krahasuar pandeminë me të cilën po përballet bota me gripin spanjoll.
Duke folur për rënien e rasteve të reja të koronavirusit në ekonominë më të madhe të Europës, gati dy javë pas një bllokimi emergjent, Merkel tha se kjo ka ardhur si pasojë e izolimit dhe jo frenimit të pandemisë.
Ekonomia më e madhe e Europës gjendet në një bllokim të pjesshëm që nga 2 nëntori, i projektuar për të zbutur valën e dytë të koronavirusit, regjistroi 24 orët e fundit 18,487 infeksione të reja dhe 261 vdekje.
“Siç ishte rasti me gripin spanjoll, tani duhetë presim që vala e dytë do të jetë më e ashpër”, tha Merkel gjatë një konference me video me këshillin e këshilltarëve ekonomikë të qeverisë.
Qeveria gjermane thotë se izolimi gjatë një muaji që përfshin mbylljen e restoranteve, palestrave dhe teatrove ishte e nevojshme për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve.
Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se numri i infeksioneve ditore nuk kishte rënë aq sa duhet për të rrafshuar kurbën.
“Shifrat po rriten, por jo si më parë,” i tha ai transmetuesit gjerman. “Kjo është inkurajuese, por nuk është e mjaftueshme.”
Spahn njoftoi se priste që kufizimet e vendosura për të ndaluar përhapjen e pandemisë të vazhdonin gjatë gjithë dimrit. Ai shtoi se nuk besonte se jeta do të kthehej në normalitet në dhjetor ose janar, edhe nëse numri i rasteve zvogëlohet.
Edhe pse numri i infeksioneve të reja të konfirmuara ditore në Gjermani, ka mbetur nën 20,000 për katër ditë rresht, numri i vdekjeve është në rritje, dhe spitalet po raportojnë rritjen e pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv, tha Spahn.
“Padyshim që po shohim shenja ndryshimi, por ende nuk mund të flasim për një ndryshim të trendit,” tha Spahn, duke shtuar se numri i vdekjeve dhe pacientët që kishin nevojë për kujdes intensiv do të binte vetëm nëse numri i infeksioneve do të binte ndjeshëm.
Ndryshe nga bllokimi i saj i parë në fillim të këtij viti, Gjermania po mban të hapura shkollat dhe fabrikat ditore në mënyrë që prindërit të mund të shkojnë në punë dhe të kufizojnë dëmtimin e ekonomisë, edhe pse ajo pritet të pësojë recesionin e saj më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kreu i Unionit të Mësuesve të Gjermanisë tha, megjithatë, se të paktën 300,000 nxënës dhe më shumë se 40,000 mësues ishin aktualisht në karantinë sepse ishin infektuar ose kishin rënë në kontakt me një individ të infektuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje