Politike

Merkel: Të hapim negociatat me Maqedoninë, me Shqipërinë…ndoshta

Zgjerimi mbetet një temë diskutimi e dorës së dytë në Bashkimin Europian, ku vendet anëtare aktualisht po përplasen mbi projektbuxhetin 2021 prej 1.8 trilionë eurosh dhe paketën 900 mld euroshe të rimëkëmbjes nga pasojat e Covid.

Megjithatë, në fjalën e mbajtur në takimin online të udhëheqësve të BE-së, Kancelarja Angela Merkel e ceku këtë temë. Kancelarja përsëriti zotimin se Gjermania do të synojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut brenda këtij viti, pavarësisht kërcënimit bullgar për të vendosur veto mbi këtë.

Ndërkohë, sa i takon Shqipërisë, Merkel foli me doza më pesimiste.

“Një objektiv i Presidencës sonë në politikën e jashtme ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor. Lidhur me mbajtjen e konferencave të anëtarësimit, ne duhet të angazhohemi me Maqedoninë e Veriut dhe ndoshta edhe me Shqipërinë”, tha Merkel.

Përdorimi i fjalës “ndoshta” përforcon perceptimin se veç Holandës, Danimarkës dhe Francës, edhe vetë Gjermania nuk është plotësisht e bindur që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të mbahet brenda këtij viti.

Debati i madh

Në të njëjtën konferencë, debati i madh mes udhëheqësve të BE-së u bë përsa i takon buxhetit për rimëkëmbjem e ekonomisë dhe vaksinës. Polonia dhe Hungaria i vendosën veton propozimit të Brukselit, duke shtyrë me të paktën një javë dorëzimin e tij për diskutim në Parlamentin Europian.

Arsyeja e refuzimit nga ana e Varshavës dhe e Budapestit lidhet me kushtëzimin e tërheqjes së fondeve me respektimin e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Si Polonia, ashtu edhe Hungaria e cilësuan absurde që kjo kërkesë t’u bëhet në kohë pandemie, kur masat e ndërmarra për kufizimin e përhapjes së virusit mund të kërkojnë sakrifikimin e të drejtave të njeriut, siç është ajo e lëvizjes së lirë.

Vetë Kryeministri hungarez, Viktor Orban akuzoi se me këtë kërkesë synohej që të detyrohej vendi i tij të hiqte gardhin e vendosur në kufi me Serbinë për parandalimin e hyrjes së emigrantëve. Ai tha se Hungaria nuk do ta votojë projektbuxhetin nëse nuk hiqet ky kusht.

Kancelarja Merkel e pranoi se ndasitë ishin të thella dhe se BE ishte përballë një problemi shumë serioz. “Kjo do të thotë se nuk mund të dërgojmë draftin në Parlamentin Europian për t’u votuar. Është një problematika që duhet ta zgjidhim pa spekulluar se si”, u shpreh ajo.

Merkel hodhi poshtë pretendimet se nën Presidencën e saj BE po tregohej e butë me shtetet “rebele”, si Polonia dhe Hungaria, duke rënë pre e kërcënimeve të tyre dhe refuzoi të tregojë nëse Brukseli po diskutonte si mundësi heqjen e së drejtës së votës për të dyja këto vende.

“Jemi të detyruar që të gjejmë një rrugëzgjidhje. Është një problem i madh që ne duhet ta zgjidhim dhe ne do të vazhdojmë të punojmë fort në këtë drejtim”, u shpreh Kancelarja gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë