Bota

Merkel thirrje gjermanëve të vaksinohen para mbërritjes së valës së katërt

Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen duke thënë se është çështje kohe para se vala e katërt të godasë Gjermaninë.

Vaksinimi kundër koronavirusit në Gjermani është ngadalësuar dhe qytetarët që nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë për t’u vaksinuar do të duhet të bëjnë tamponë për të marrë pjesë në jetën publike”, tha Merkel të martën.

Për të nxitur më shumë njerëz që të vaksinohen mes shqetësimeve për rritjen e rasteve të reja, Merkel tha se qeveria do të ndalojë ofrimin e testeve falas nga 11 Tetori, përveç atyre për të cilët nuk rekomandohet vaksinimi, siç janë fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Qeveria gjithashtu do të kërkojë që njerëzit ose të vaksinohen, të kenë test negativ për të hyrë në restorante të brendshme, të marrin pjesë në ceremonitë fetare dhe të bëjnë sporte në ambiente të mbyllura.

Më pak se shtatë javë para zgjedhjeve federale, Merkel dhe udhëheqësit e 16 shteteve të Gjermanisë u takuan për të diskutuar masat për të shuar një valë të re të infeksioneve, të nxitur nga përhapja e variantit Delta, dhe për të shmangur kufizimet.

Qeveria dhe landet gjermane vendosën të martën, në një konferencë virtuale të kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të 16 landeve që të forcojnë masat  parandaluese.

“Lajmi i keq është se shkalla e vaksinimit ka rënë ndjeshëm”, tha Merkel në një konferencë shtypi pas takimit.

“Shpresoj se do të rikthehet i njëjti ritëm përsëri pas pushimeve verore,” tha ajo. “Për vaksinimet, ne nuk jemi aty ku duhet të jemi.”


Nga 11 tetori e tutje, testet do të jenë me pagesë. Kjo vlen vetëm për refuzuesit e vaksinave. Për të pavaksinuarit e tjerë, si për shembull, të miturit dhe të rinjtë nën moshën 18 vjeçare, dhe gratë shtatzëna, për të cilët nuk këshillohet patjetër vaksinimi, testet do të vijojnë te jenë falas.

Se sa do të kushtojë një test, kjo do të varet nga ofruesi. Deri tani shteti gjerman u kishte rimbursuar ofruesve të testeve deri në 18 euro për një test antigjen. Prej 1 korrikut ky rimbursim u ul në 11,50 euro për test.


Qeveria dhe landet apelojnë në mënyrë urgjente te popullsia që të shfrytëzojë ofertat e vaksinimit – madje sa më shpejt. Punëdhënësve u bëhet thirrje që t’ua lehtësojnë punëmarrësve mundësinë e vaksinimit, për shembull duke ofruar vaksinime nga mjeku i kompanisë.

Deri tani, sipas burimeve zyrtare, janë vaksinuar 45,8 milionë qytetarë ose 55,1 përqind e banorëve. Qeveria synon të arrijë një kuotë deri në 85 përqind.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë