Politike

Mesazhet e Metës për Ramën, nga mos njohja e 30 Korrikut, e deri tek dera e hapur që la për Këshillin Politik

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shfaq protokollar me një propozim të ri për zgjedhjet pas takimit me aleatët, por Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte ai që mbajti qëndrimin politik ndaj ndryshimeve kushtetuese të firmosura nga kryeministri Edi Rama.

Në konferencën ku njoftoi shkelje në ligjin e ndryshuar për betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kaluar një ditë më parë në Kuvend, Ilir Meta, bëri paralajmërime të forta dhe të drejtpërdrejta për kreun e ekzekutivit.  Ai e filloi konferencën me mesazhin se kalimi në mënyrë të njëanshme i ndryshimeve kushtetuese do të ketë pasoja, dhe e mbylli po me një mesazh politik se atij i pëlqejnë maratonat…

…Ilir Meta nuk njeh 30 Korrikun ditë kur është caktuar të kalojnë për miratim ndryshimet kushtetuese.

Për Metën ka vetëm një datë, 5 qershori, një produkt i kaluar me konsensusin e të gjitha palëve.

“Kush e ka shpikur 30 korrikun? Ekziston vetëm një datë e rëndësishme, 5 qershori, e vetmja marrëveshje që mundëson rikthimin e legjitimitetit të gjithë institucioneve…”, tha Meta. Presidenti i Republikës nënvizoi se, rregullat e garës nuk vendosen nga një mazhorancë për interes të mazhorancës.  

“Është koha për të reflektuar dhe për të mos cenuar 5 Qershorin sepse cenimi është me pasoja imediate për të ardhmen europiane shqiptare dhe çdo shqiptar e di mirë se çfarë do të thotë kjo…”, shtoi ai.

Meta tha se kush prek 5 Qershorin, pasojat më pas do të jenë të rënda, por pa specifikuar së çfarë.

“Kam dhënë kontributin që opozita të tërhiqej nga kushti i qeverisë tranzitore… por kush prek 5 Qershorin dhe kush shpik një datë tjetër duhet ta dijë nuk ka vetëm 30 Korrik, ka 31 Korrik,  2 Gusht ka ditë të tjera…Pastaj nuk ka më rikthim as në tryeza nga ata që përmbysin tryezat pasi ke dhënë shembullin më të poshtër dhe kriminal se si për interesa të pushtetit tënd je gati të përmbysësh të ardhmen europiane të një vendi të tërë…”, vërejti Meta.

Presidenti la të kuptohet së e mirëpret propozimin e opozitës për listat e hapura sa kohë, që sipas tij gjithçka mund të arrihet në mënyrë konsensuale.

“Edhe nëse mund të rishikohet një element i saj ajo duhet rishikuar në mënyrë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse me ekspertë ndërkombëtarë që i shërben mbarëvajtjes së zgjedhjeve…”, tha ai.

Presidenti i Republikës u shpreh i gatshëm të marrë pjesë edhe në Këshillin Politik, por i ftuar zyrtarisht dhe jo në rrugë “jo serioze”, duke iu referuar në fakt një cicërime të Ramës kur ftonte Metën përmes Tëitter-it duke i përmendur vetëm inicialet I.M.

“Nuk ftohet Presidenti me gjëra të tilla kaq të shëmtuara dhe jo serioze. Nëse dikush kërkon  bashkëpunimin e Presidentit e fton zyrtarisht… Nëse gjithë anëtarët e Këshillit Politik duan të japin mendimin padyshim që Presidenti është i gatshëm që të shkojë aty, por këto ftesa L.B. I.M dhe o.p …duhet të tregonte më shumë respekt për institucionet”, nënvizoi ai.

Meta nuk tha se çfarë veprimi do të ndërmarrë më tej nëse ndryshimet kushtetuese kalojnë në Kuvend për miratim, por një formë paralajmërimi e përcolli.

“Nuk ndaloj njeri të çmendet, as të ndaloj njeri të hidhet nga kati 20. Unë kam të drejtën të them se po u hodhe, vritesh”, tha ai.

Meta lajmëroi gjithashtu se roli i tij në zgjedhjet e ardhshme do të jetë shumë herë më i madh. Duke filluar nga ngritja e disa task-forcave

“Presidenti nuk merr pjesë në zgjedhje. Sot është 24 korrik dhe është tre vjetori i betimit dhe marrjes së detyrës. Konferencën e fundit për shtyp do ta keni fiks pas dy vitesh. Roli është mjaft i rëndësishëm, veçanërisht në një situatë kur ka një interes të madh publik. Për më tepër për një proces që ekzistojnë shumë kushte nga partnerët që janë të domosdoshme për t’u plotësuar.

Në këtë drejtim, duke ditur që pak muaj ne do shkojmë drejt zgjedhjeve është e rëndësishme që presidenti të marrë masat kushtetuese dhe ligjore dhe të bëjë gjithçka në mënyrën më transparente për të ndaluar keqpërdorimin e institucioneve të shtetit në favor të kujtdo. Do kemi shumë akte që do jenë transparente dhe do kemi disa task forca që do kujdesen për mbarëvajtjen e procesit.

Roli i Presidentit do jetë si asnjëherë më parë sepse presioni ndërkombëtar është shumë i lartë për të garantuar një proces të drejtë”, tha ai.

Edhe ndaj ndërkombëtarëve, nuk i kurseu qëndrimet e përsëritura.

“Unë nuk kam qenë ndonjëherë kundër diplomatëve, por sa herë diplomatë karagjozë tallen me Kushtetutën e Shqipërisë dhe popullin shqiptarë dhe nuk i thonë të vërtetën, sigurisht që është e drejta e Presidentit t’i thotë popullit shqiptar të vërtetën“, tha Meta.

“Tani kemi një ceremoni për një maratonë dhe ju e dini që mua më pëlqejnë maratonat…”, e mbylli Presidenti konferencen për shtyp  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë