Politike

Mesazhi e Bashës: Qytetarë, ruajini mjekët!

Duke marrë shkas nga informacioni se një mjek i Spitalit të Durrësit rezulton mes 33 personave të konfirmuar me koronavirus, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përçoi disa mesazhe drejtuar qytetarëve dhe Qeverisë.

“U bëj thirrje qytetarëve që të tregohen maksimalisht bashkëpunues me stafet mjekësore. Të tregojnë në mënyrë të detajuar shqetësimin e tyre, historikun e udhëtimeve apo kontaktin që mund të kenë pasur me persona të prekur nga Covid 19. Në këtë mënyrë do të ndihmoni veten dhe nuk do të rrezikoni shëndetin e mjekëve, të cilët janë mburoja jonë, mburoja e çdo qytetari në këtë situatë”, thotë Basha.

Në mesazhin drejtuar qeverisë, Basha kërkon masa të menjëhershme mbrojtëse për ekipet mjekësore në të gjithë vendin.

“Ata janë të ekspozuar ndaj personave mbartës potencialë të Covid 19, por që, për shkak të shenjave joshqetësuese, mund ta neglizhojnë këtë fakt, e të drejtohen tek qendrat shëndetësore, apo spitalet rajonale. Autoritetet duhet të pajisin të gjithë personelin e dedikuar për raste të tilla me veshjet dhe mjetet e posaçme mbrojtëse”, tha ai.

Duke iu rikthyer apelit për qytetarët, Basha kërkon që ata të shmangin lëvizjet.

“E di që shumë prej jush nuk janë mësuar të rrinë mbyllur apo kanë kushte jo të përshtatshme. Shumë të tjerë kanë nevojë të punojnë për të çuar bukën e përditshme në shtëpi, por asgjë nuk vlen më shumë sesa jeta. Me qëndrimin në shtëpi mbroni veten, familjen, miqtë dhe të afërmit. Nga sakrificat e sotme varet jeta, shëndeti, e sotmja dhe e nesërmja jonë. Mbi të gjitha, duke kontribuar në mospërhapjen e shpejtë të virusit, ne bëjmë pjesën tonë si qytetarë për ruajtjen e sistemit shëndetësor nga kolapsi”, vijo mesazhin e tij kreu i PD-së.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/3016524378398723

Këtu u rikthehet thirrjeve në adresë të Qeverisë që t’u mundësojë familjeve në nevojë që e kanë të pamundur që të qëndrojnë të izoluara.

“I bëj thirrje qeverisë të marrë të gjitha masat për t’u mundësuar familjeve në nevojë dhe në pamundësi gjërat më të domosdoshme për të kaluar këtë krizë dhe për të ruajtur shëndetin duke mundësuar që asnjë familje mos të mbetet pa ushqim dhe mjete higjienike”, vijon ai.

Mesazhet e tij, Basha i mbyll me thirrjen drejtuar kompanive të internetit që të bëhen pjesë e përpjekjeve për parandalimin e përhapjes së virusit duke u ofruar qytetarëve shërbim interneti falas, veçanërisht për fëmijët që t’u mundësojë ndjekjen e procesit mësimor.

“Të sigurojnë akses pa pagesë në internet për fëmijët dhe studentët që në javët në vazhdim do të zhvillojnë online procesin mësimor. Ky kontribut për mësimin online të fëmijëve, do të ishte shumë i çmuar dhe i vlerësuar!”, mbyll mesazhin e tij kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë