Politike

Mesazhi i Berishës në protestë: Lufta kundër nesh u bë që Shqipëria të mos kishte opozitë

Gazeta Si – Në fjalën e tij në protestën e opozitës, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur në një fjalim online nga “arresti shtëpiak”, se bashkimi i Partisë Demokratike e ka futur politikën shqiptare në një epokë të re.

Sipas tij, e gjithë kjo luftë u bë kundër tij që Shqipëria të mos kishte opozitë, e ndihmuar nga besëprerë dhe ambasadorë të huaj.

“Ky uragan madhështor që ka pushtuar Tiranën, ishte llogaritur që të mos ndodhte. Bashkimi ynë në diversitet ishte llogaritur të mos ndodhte. Dhe Shqipëria ishte llogaritur që sot, në vitin 2024, të ishte një vend pa opozitë. Jo një kështjellë e socializmit si dikur, por një narkoshtet pa opozitë në brigjet e kaltërta të Adriatikut. Menduan se do na asgjësonin. Asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument. Por gabuan!”.

Në nisje të fjalimit të tij, Berisha tha se 20 shkurti sot është më i rëndësishëm sesa i 33 viteve më parë ku u rrëzua statuja e diktatorit Enver Hoxha.

I bindur në fitoren e opozitës, Berisha thotë se demokracinë e brendshme do e aplikojnë në qeverisjen e tyre.

Ish-kryeministri u shpreh se, “Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare”.

“Për këtë duhet t’u them se pas këtij uragani lemeritës dhe të frikshëm për aleancën e qelbësirave, megafonët e tyre do të ushtojnë në të katër anët, të dezinformojnë, të shpifin, të shprehen se ju po luftoni për hallet e Sali Berishës. Kur në fakt edhe njeriu me naiv e kupton se të ashtuquajturat halle të Berishës, janë vetëm sulme politike ndaj meje dhe ndaj jush. Cilat halle ka Berisha? Ato halle që u shfaqën 10 vite pas ishte pa asnjë pushtet? Ato halle që unë denoncova projektet e serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon? Ato halle që unë denoncova çdo ditë vjedhjet më të mëdha të Edi Ramës? Ato fakte që unë denoncova lidhjet e tmerrshme të pushtetit me krimin”, – tha Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, “ato fakte që nisën çuditërisht që unë kundërshtova bashkëqeverisjen e PD me aleancën e qeblësirave, me Rilindjen. Jo miq, Sali Berisha nuk ka halle. Por Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare. Prandaj dhe jam sulmuar politikisht. Sepse sot unë luftoj njëlloj si ju për opozitën e vërtetë, për dinjitetin e shqiptarëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë