Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker mbylli takimet zyrtare në Tiranë, ku u takua vetëm me Kryeministrin Edi Rama, kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe përfaqësues të institucioneve të reja të drejtësisë.
Nga këto takime nuk pati asnjë deklaratë, përveç asaj që nxorri në fund Ambasada e SHBA, të shoqëruar edhe me disa foto të këtyre takimeve. Mesazhi i dhënë nga deklarata e shkurtër e Ambasadës i mëshonte mbështetjes së SHBA në përpjekjet për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe forcimin e shtetit ligjor.
Ky ishte mesazhi zyrtar, tradicional e standard që përçohet rëndom në të tilla takime. Prandaj, mesazhi kryesor duket se u dha nga vetë agjenda e takimeve të Reeker, të cilave u mungoi Presidenti Ilir Meta. Diplomati i lartë i DASH u takua fillimisht me Ramën për më shumë se një orë dhe më pas iu drejtua selisë së PD-së për një takim të gjatë me Bashën.
Se çfarë u fol në atë takim me saktësi vetëm Reeker dhe vetë Basha e dinë, por mund të hamendësohet se me shmangien e Metës ekziston mundësia që opozita ta ketë marrë sinjalin se për Uashingtonin Presidenti është “i padëshirueshëm”, por jo në formën me të cilën është shpallur ish-Kryeministri Sali Berisha.
Menjanimi i Metës mund të jetë rastësi, por vështirë se mund të cilësohet rastësi menjanimi i takimit me Presidentin si Komandant i Forcave të Armatosura pak ditë pasi në Shqipëri u përmbyll stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s e udhëhequr nga SHBA.
Kjo përforcohet edhe më shumë nga vizita të ngjashme të Philip Reeker në Tiranë në të shkuarën. Në 2012, kur vizitonte Shqipërinë, diplomati amerikan takohej me Kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha, kreun e opozitës së kohës, Edi Rama dhe me Presidentin Bujar Nishani.
Me Metën ndër takimet e fundit të Reeker është pas zgjedhjeve të 2013-s dhe gjatë një samiti ndërkombëtar në Slloveni. Në deklaratën pasuese të shpërndarë nga LSI thuhej se zyrtari i DASH vlerësonte zgjedhjet e atij viti si ndër më të mirat e organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe shprehte mbështetjen në përpjekjet e vendit tonë për integrimin europian.
Prandaj, nëse gjatë bashkëbisedimit kokë më kokë mesazhi i “menjanimit” të Metës nuk i është përcjellë në formë zanore Lulzim Bashës, përmes agjendës së Philip Reeker ai duhet ta ketë marrë atë fort e qartë; që Ilir Meta nuk bën pjesë te planet amerikanë në Shqipëri, as në cilësinë e Presidentit.
Temë diskutimi me Lulzim Bashën mund të ketë qenë edhe shpallja “non grata” e Berishës, që deri diku ceket në deklaratën zyrtare të Ambasadës së SHBA.
“Reeker nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021 është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Berisha është shpallur “non grata” pikërisht nga përcaktimet e këtij neni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje