A do të ishte e mundur një bashkëpunim PS-LSI pas zgjedhjeve të 25 Prillit? Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë televizive ka thënë shumëçka në përgjigjen e saj, duke lënë të kuptohet qartazi se çfarë mendon kjo forcë politike për këdo (përfshi PD) që do të shihte mundësinë e bashkëpunimit me Ramën
“Bashkëpunimi i LSI me Edi Ramën është tradhti kombëtare. Të bashkëpunosh me një njeri, i cili ndien neveri për vendin e tij, për një njeri që ndien urrejtje për popullin e tij, për një njeri i cili i ngre zgupthi qytetarët e vet për t’i larguar nga Shqipëria, normal që çdo bashkëpunim me Edi Ramën do të ishte tradhti kombëtare.
Përsa i përket angazhimit dhe takimeve tona, duhet të kemi një gjë parasysh që qoftë PD, qoftë LSI janë dy grupime të ndryshme, pavarësisht se për herë të parë në historinë e tranzicionit të 30 viteve, ne kemi një koalicion parazgjedhor midis Partisë Demokratike dhe një partie të majtë, që është LSI, e cila nuk është më thjesht një strukturë me katër deputetë, por është një strukturë e cila është realitet politik dhe mund t’ju them që është edhe shumë më shumë se një forcë politike.
Është një energji e pashtershme të rinjsh dhe të rejash, të cilët janë e ardhmja e këtij vendi, të cilët kanë dëshirën, ëndrrën dhe shpresën për ta ndërtuar këtë vend. Beteja e 25 prillit nuk është betejë figurash.
Nuk është beteja ku njerëzit kanë nevojë të shikojnë Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin në televizor. Beteja e 25 prillit është një betejë për qytetarët. Nëse ne do të fokusohemi tek imazhi personal i dy liderëve të dy partive kryesore opozitare, do të ishte gabimi ynë më i madh dhe fatal…”, tha ajo
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje