Franca ka zhvendosur mbi 14 mijë njerëz të kërcënuar nga zjarret në jug-perëndim të vendit, ndërkohë që në situatë emergjence të pazakontë me flakët janë edhe Portugalia, Spanja, Kroacia e Greqia.
Autoritetet në Gironde të Francës, një rajon i njohur turistik kanë evakuuar rojet nga kampingjet, pas turistëve që u larguan më herët. Zjarret janë përhapur në zonat Teste-de-Buch dhe Landiras. Në Spanjën jugore, më shumë se 3,200 njerëz u larguan nga zjarret në kodrat Mijas.
Zjarret në Portugali janë vënë disi nën kontroll për momentin, megjithatë, qeveria portugeze thotë se 659 njerëz kanë vdekur, kryesisht të moshuar nga i nxehti ekstrem.
Zjarret e Mijas në Spanjë janë jo shumë larg nga Málaga, një zonë e njohur turistike. Zjarret kanë shpërthyer në provincat Castilla y León, Galicia dhe Extremadura.
Ellen Mçurdy, që jeton në zonën e Málagës i tha Reuters: “Morëm vetëm gjërat kryesore dhe thjesht vrapuam për t’u shpëtuar flakëve”.
Në të gjithë Mesdheun, nga Maroku në perëndim deri në Kretë në lindje, mijëra zjarrfikës dhe shumë avionë bombardues me ujë po luftojnë çdo ditë me flakët. Që nga e marta, i gjithë rajoni i Mesdheut është nën temperatura ekstreme.
Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara. Sipas shkencëtarëve, Toka tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë celcius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit.
Shërbimi francez i motit parashikoi temperatura deri në 41 gradë celcius në jug të vendit të dielën dhe rekorde të reja të nxehtësisë parashikohen për të hënën. Në Portugali, temperaturat ditët e fundit arritën deri në 47 gradë.
Në Mbretërinë e Bashkuar ka një paralajmërim në fuqi për nxehtësi ekstreme, pasi vendi po përgatitet për temperatura rekord të hënën dhe të martën, ndoshta duke arritur në 41 gradë Celsius në disa pjesë të vendit për herë të parë që kur maten temperaturat.
Eunice Lo, një shkencëtare klimatike në Universitetin e Bristolit, i tha BBC-së se “rritja e temperaturave është një shenjë e ndryshimit të klimës” dhe se në Mbretërinë e Bashkuar, 2,000 vdekje shtesë në vit i atribuohen valëve të të nxehtit.
Të dhënat publike tregojnë se që nga viti 1884, 10 vitet më të nxehta në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë që nga viti 2002, tha ajo. Globalisht, “valët e të nxehtit po bëhen më të zakonshme dhe po zgjasin më gjatë,” shtoi Dr Lo, duke këshilluar që bota të ndalojë përdorimin e naftës sa më shpejt.
Maroku ka urdhëruar më shumë se 1,300 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe ka vendosur më shumë zjarrfikës për të trajtuar flakët në zonat pyjore në veri. Zona më e goditur është provinca Larache.
Në Kretë, zjarrfikësit grekë po luftojnë me një zjarr të madh në kodrat rreth Rethymno, në bregun verior. Të shtunën ata thanë se flakët ishin vënë pjesërisht nën kontroll.
Disa zona në Turqinë jugperëndimore dhe në brigjet e Adriatikut të Kroacisë po luftojnë gjithashtu me zjarret. Vatra flakësh shpërthyen pranë qyteteve turistike të Kroacisë, Zadar dhe Shibenik, por deri më tani nuk ka të evakuuar.
Valët e të nxehtit e vënë publikun në rrezik më të madh të goditjes nga nxehtësia, lodhjes nga nxehtësia dhe mbytjes, pasi njerëzit nxitojnë të freskohen, tha Dr Lo. Kafshët shtëpiake dhe kafshët e fermave janë gjithashtu të prekshme.
“Edhe njerëzit në formë dhe të shëndetshëm janë në rrezik,” tha ajo, megjithëse më të rrezikuarit janë fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe ata me kushte themelore shëndetësore.
Nxehtësia ekstreme mund të dëmtojë gjithashtu infrastrukturën, si shkrirja e asfaltit të rrugëve dhe përkulja e linjave hekurudhore.
Ne Itali, qeveria ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në luginën e tharë Po, lumi më i gjatë i vendit që për shkak të thatësirës është shndërruar në një përrua.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje