Lionel Mesi ka folur hapur pas humbjes me Osasunën, ai kërkon ndryshime dhe sheh larg. Kapiteni ka shprehur gjithë zhgënjimin për gjendjen aktuale dhe pesimizmin sa i takon sfidës së 8 gushtit me Napolin në Ligën e Kampionëve.
“Nuk duhej ta mbyllnim kështu, kjo ndeshje pasqyron gjithë ecurinë tonë gjatë vitit. Një skuadër e çrregullt, shumë e dobët, pa dëshirë dhe intensitet loje, së cilës çdo kundërshtar mund t’i shënojë. Gjatë sezonit kemi humbur pikë të rëndësishme që nuk duheshin humbur. Ndeshja me Osasunën është një fotografi e gjithë sezonit të Barcelonës”, – shprehet Mesi.
“Reali bëri punën e tij, pas ndërprerjes i ka fituar të gjitha ndeshjet, por edhe ne kemi kontribuuar në titullin e tij. Kemi hedhur në rrugë shumë pikë”, – shton më tej argjentinasi. Barcelona ishte 2 pikë para Realit kur rinisi kampionati, të cilin e mbylli 7 pikë prapa kampionëve të rinj të Spanjës. “Tani duhet autokritikë, ne lojtarët të parët, por edhe në nivel të përgjithshëm. Reali fiton gjithmonë, por edhe ne jemi Barcelona dhe duhet të fitojmë gjithmonë, pa parë atë që bën rivali ynë”, – thekson kapiteni i katalanasve.

“Ideja është se skuadra nuk është në gjendje të fitojë, ka lënë për të dëshiruar në shumë ndeshje. Pak kohë më parë kam thënë se, nëse do të vazhdonim me këtë lojë, nuk mund ta fitojmë Ligën e Kampionëve. Dhe është e qartë se me këtë nivel nuk arritëm të fitonim as titullin në Spanjë. Nëse duam të fitojmë Ligën e Kampionëve, duhet të ndryshojmë shumë gjëra, në të kundërt humbim edhe me Napolin”, – pohon Mesi.
“Kemi nevojë për qetësi, do të na bëjë mirë pushimi për të reflektuar për atë çfarë ka ndodhur nga janari e deri më sot. Janë shumë gjëra negative dhe duhet të pastrojmë mendjen. Në Ligën e Kampionëve kanë mbetur edhe 4 ndeshje dhe mund të fitojmë trofeun që të gjithë duam, por, e përsëris, duhet të ndryshojnë shumë gjëra. Nuk mund të mendojmë se humbëm ngaqë rivali ynë luajti më mirë se ne. Njerëzit tanë janë të nervozuar, është e drejtë. Kemi pësuar humbje si ato me Romën dhe Liverpulin, ndaj dhe atyre u ka sosur durimi”, – ka përfunduar ylli i Barcelonës.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje