Presidenti Ilir Meta nuk e ka pritur mirë proçedurën e ndjekur nga komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat, kur janë shqyrtuar dhe më pas rrëzuar tre dekrete të tij.
Kreu i shtetit pretendon se Komisioni për Ekonominë dhe Financat, ditën e martë dhe të mërkurë (16-17 Qershor) ka shqyrtuar dhe ka vendosur rrëzimin e tre dekreteve, pa praninë e institucionit të Presidencës.
“Komisioni për Ekonominë dhe Financat nuk ka njoftuar Institucionin e Presidentit të Republikës për të qenë prezent në shqyrtimin e Dekreteve, përmes përfaqësuesve të Tij.
Ky veprim i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave është i përsëritur, sidomos kur shqyrtohen Dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh.
Ky veprim i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese të transparencës në procesin legjislativ”, thuhet në reagimin e Presidencës.
“Qëllimisht, – vijon presidenca,- kur shqyrtohen Dekretet e Presidentit të Republikës, ftohen për të qenë të pranishëm vetëm përfaqësues të Qeverisë, që bëjnë reklamimin e radhës së ligjit, duke fshehur të metat e rënda që paraqesin këto akte të reja ligjore”.
Këto veprime, sipas tij, kanë për synim keqinformimin e publikut, fshehjen e antikushtetutshmërisë së këtyre ligjeve, cenimin e interesit publik, si dhe fshehjen e kostove që do të prodhojnë këto ligje.
“Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato.
Në gjuhën juridike, kjo do të thotë “korrupsion legjislativ”, që është akti më i rëndë i shpërdorimit të pushtetit publik.
Arsyetimet e kthimit të ligjeve me Dekret nga Presidenti i Repulikës janë publike, dhe ftohen gjithë qytetarët t`i lexojnë, ashtu siç ftohen dhe të gjithë deputetët para seancës plenare, të njihen me to për të kuptuar në emër të cilave subjekte do të shkojnë votat e tyre “Pro”: për zhdoganime jahtesh e mjetesh lundruese luksi, apo dhënie licencash për aktivitete në fushën e shërbimeve të pagesave”, thuhet në reagim.
Sipas tij, ligji nuk mund të bëhet për një individ, as për dy por për gjithë shoqërinë.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje