Politike

Meta dekreton Dariel Sinën si anëtar i 12-të i Gjykatës së Lartë

Presidenti Ilir Meta dekretoi të martën emërimin e gjyqtarit Dariel Sina si anëtar  i Gjykatës së Lartë

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e Darjel Sina si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë.

Ai  është përzgjedhur për t`u emëruar përmes procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile.

Presidenti i Republikës pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, konstatoi se plotësimi i këtij vendi vakant është shpallur për aplikim që prej datës 11 shtator 2019.

Në përfundim të shqyrtimit të këtij propozimi, Presidenti i Republikës, ka vendosur që: Darjel Sina të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Nga data 26 prill, Gjykata e Lartë bëhet me 12 gjyqtarë, nga 19 që kjo gjykatë duhet të ketë.

Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, ripërsërit rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë.

Plotësimi i kësaj vakance në Gjykatën e Lartë ka zgjatur ekzaktësisht 2 vjet e 7  muaj ç’ka sipas Metës tregon se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë