Politike

Meta dekreton “me porosi” 12 rektorët e rinj të universiteteve

12 rektorët e dalë nga zgjedhjet universitare të 30 korrikut kanë marrë zyrtarisht detyrën. Presidenti Ilir Meta u dorëzoi këtë të hënë atyre dekretet e emërimit.

Duke vënë theksin te zgjedhjet e zhvilluara në një periudhë të pazakontë, Meta kërkoi prej rektorëve që të jenë në lartësinë e detyrës.

“Sfidat dhe vështirësitë me të cilat do të përballeni do të jenë të shumta, sidomos në këtë periudhë pandemie, e cila kërkon edhe më shumë impenjim dhe strategji të veçantë për të garantuar cilësi dhe studime sa më efektive. Me marrjen e detyrës suaj, ju nxis të punoni pa u lodhur për t’i transformuar universitetet në qendra më aktive shkencore”, tha ai.

Presidenti thotë se misioni i universiteteve duhet të jetë të ndalojë largimin e trurit nga vendi.

“Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë për shpresë! Edukimi i mirë i rinisë është shpresa e madhe e vendit tonë. Duhet ndalur largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë. Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe! U duhet ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Shqipëria ka nevojë për ‘brain gain’ dhe jo ‘brain drain’”, u shpreh ai.

Porosia tjetër që Meta u la rektorëve të rinj të universiteteve ishte angazhimi dhe vendosmëria e tyre për të forcuar autonominë e këtyre institucioneve, duke i mbajtur larg politikës dhe ndikimeve dhe qëllimeve të saj.

“Liria akademike, autonomia financiare dhe organizative në përputhje me legjislacionin në fuqi janë të rëndësishme për Institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë dhe vendosmëria e përkushtimi juaj për t’i mbrojtur ato duhet të jetë parimor dhe i pa kompromis”, u shpreh Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë