Politike

Meta dhe Berisha përshëndesin Shkupin, Presidenti ka dhe një thumb për qeverinë Rama

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut e cila miratoi propozimin francez. Kreu i Shtetit shqiptar thotë se ky vendim i hap rrugë negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme por thumbon edhe qeverinë, pasi thotë se vendimi i Këshillit Europian që do merret pas disa ditësh, duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarrës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave.

“Përshëndes votimin pro-formulës Makron nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, që çel rrugën e negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme për të dy vendet tona. Përgëzoj faktorin politik  shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike. Vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë  mirë çdo vendimmarës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse”, deklaron Meta.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ka përgëzuar Parlamentin e Maqedonë së Veriut për miratimin e propozimit francez.

“Partia Demokratike përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona.

Hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE, të bllokuara prej 6 vitesh, dhe pasi ato u shtynë 5 herë, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria Rama, dhe vitin e fundit për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e kundërshtive midis këtyre vendeve, Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE.

Me këtë rast PD garanton shqiptarët dhe BE, Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE, se do mbështesë, dhe, nesër në pushtet, do të marrë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, kapitull për kapitull, e kërkesave të negociatave me BE, dhe për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë