Politike

Meta do të monitorojë gjyqin ndaj Salianjit

Ervin Salianji ka njohur Presidentin Ilir Meta mbi pretendimet e ngritura për një proces të parregullt ligjor në çështjen “Babale”, ku gjyqtari Artan Gjermeni e dënoi me 1 vit burg ish-deputetin e PD-së.

Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi konfirmoi takimin përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Ervin Salianji, për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tij në lidhje me cënimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij”, thotë ai.

Sipas zëdhënësit të Presidencës, Ilir Meta i ka dhënë garancinë Ervin Salianjit që do të ndjekë më vëmendje procesin gjyqësor kundër tij në shkallën e dytë të drejtësisë.

“Kreu i Shtetit e inkurajoi z.Salianji, që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet proceduriale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive. Kreu i Shtetit e garantoi z.Salianji se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent”, thotë Blushi.

Në këtë takim, Presidenca thotë se Presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë