Politike

Meta: Dvorani përgjegjësi e KLGj! Protestat nuk mund të ndalohen

Presidenti Ilir Meta i qëndron mendimit se vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për të pritur një mendim të misioneve ndërkombëtare Euralius dhe Opdat për çështjen e mandatit të Ardian Dvoranit është i panevojshëm.

“Kjo është një përgjegjësi që i mbetet KLGj dhe askujt tjetër”, deklaroi kreu i shtetit pasi doli nga qendra e dhurimit të gjakut në Tiranë.

Meta komentoi edhe vendimin e Ministrisë së Arsimit për të shtyrë zgjedhjet në universitete. Ai e mirëpriti, por e cilësoi si të vetmen rrugë për të respektuar ligjet e vendit dhe gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

“Është një vendim i arsyeshëm dhe i pritshëm, sepse nën një periudhë fatkeqësie natyrore ishte e pamundur për të patur zgjedhje tërësisht përfshirëse, demokratike siç duhet të meritojnë universitetet tona”, tha Meta.

Presidenti përsëriti thirrjen drejtuar institucioneve që të përmbushin detyrat e tyre dhe të hartojnë dhe nxjerrin të gjitha aktet nënligjore në përputhje me ndryshimet e Kodit Penal për ndëshkimet me akuzën e përhapjes së sëmundjeve infektive.

“Të gjithë të bëjnë detyrën e tyre me përgjegjësi që Qeveria, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Shtetit, prokuroria, gjykatat të nxjerrin të gjitha aktet nënligjore dhe udhëzimet nën frymën e ndryshimeve që u bënë në Kodin Penal që janë më të mirat sipas standardeve europiane”, u shpreh ai.

Meta kërkoi që të mbrohej e drejta e qytetarëve për të protestuar edhe në kushte të jashtëzakonshme, siç ndodhet sot vendi ynë.

“Kushtetuta garanton këtë të drejtë themelore që është thelbësore për ekzistencën e demokracisë në çdo rrethanë. Duhet respektuar nga autoritetet, duhen ndërmarrë të gjitha masat që protesta të zhvillohet në përputhje me kushtet specifike të distancimit fizik dhe ruajtjes fizike dhe gjithmonë paqësore. Zëri i qytetarëve duhet dëgjuar në çdo kohë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë