Politike

Meta jep leksione për vendin në Turqi: Demokracia fillon me zgjedhje të lira dhe luftë ndaj korrupsionit

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Forumin Ekonomik, që po mbahet në Maltepe të Stambollit.

Kreu i shtetit nënvizoi se demokracia “fillon me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me institucione llogaridhënëse, me media të lira. 

“Sundimi i ligjit kërkon zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin e pavarur dhe jo të kapur”.

Duke folur për situatën e krijuar nga pushtimi rus në Ukrainë, Meta tha se kjo ka nxitur domosdoshmërinë për të “ripërkufizuar identitetin europian si komunitet politik bazuar në vlerat dhe praktikën e përbashkët demokratike”.

” Kjo ka nxitur nevojën për të forcuar Aleancën tonë të Mbrojtjes Kolektive, duke mbrojtur paprekshmërinë e këtij perimetri të sigurisë nga çdo kërcënim i pajustifikueshëm dhe i paprovokuar”, tha ai.

“Refuzimi kategorik dhe dekurajimi me vendosmëri i mbështetjes ndaj çdo projekti që synon të ndryshojë perspektivën europiane të rajonit. Duhet bërë kujdes nga përpjekjet për të nxitur tensionet përmes retorikës toksike dhe veprimeve provokuese, siç e kemi parë tashmë gjatë muajve të fundit”, tha Meta duke iu referuar detyrave që duhet të përmbushë vendi ynë.

Meta nënvizoi edhe rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“…Ne e kuptojmë se anëtarësimi europian është një proces i gjatë që kërkon reforma vendimtare dhe të pakthyeshme.  Pra, po, detyrat e shtëpisë duhet të bëhen.

Por është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se edhe pse ende larg progresit të dëshiruar, Ballkani Perëndimor nuk duhet të trajtohet si një rast i dështuar.

Të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të marra së bashku nuk mund të barazojnë as popullsinë e Rumanisë.

Bashkimi Europian nuk e ka të vështirë të na pranojë në raport me shifrat, por në raport me problemet që kemi.

Megjithatë, siç e ka dëshmuar vetë historia, problemet e Ballkanit Perëndimor kurrë nuk kanë mbetur të frenuara apo të kufizuara në këtë territor gjeografik.  Sepse një problem ballkanik është një problem europian…”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë