Politike

Meta kërkon dialog urgjent me naftëtarët

Presidenti Ilir Meta i bën thirrje Qeverisë që të nisë pa asnjë vonesë dialogun me naftëtarët e Ballshit, për të shmangur, siç thotë ai përshkallëzimin e situatës së rëndë sociale dhe humanitare.

Meta reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Është tepër e domosdoshme dhe bëj thirrje për vendosjen e menjëhershme të dialogut mes Qeverisë dhe grave greviste e naftëtarëve për një zgjidhje sa më të pranueshme të kërkesave të drejta të tyre, për të shmangur përshkallëzimin e situatës me pasoja për shëndetin e grevistëve”, shkruan Presidenti.

Kreu i shtetit thotë se kjo duhet të ndodhë sa më parë dhe pa vonesa të mëtejshme. Vetë Kryeministri Edi Rama ka pranuar që të flasë me naftëtarët, por kërkon prej tyre që më parë të braktisin grevën e urisë, që e cilëson një mjet “presioni dhe ultimatumi”, përballë të cilit Qeveria nuk mund të gjunjëzohet.

Rama ka deklaruar se Qeveria është duke punuar që të gjejë një investitor serioz për të rivendosur në punë Rafinerinë e Ballshit, por shprehet se greva e urisë së punonjësve të kësaj rafinerie nuk ndihmon në këtë pjesë.

“Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë, edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë”, thotë Rama.

Kreu i Qeverisë thotë se greva e urisë nuk ndihmon në këtë aspekt.

“Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t’ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria. Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin”, thotë me tej Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë