Duke komentuar thirrjen e tij për tubimin e 2 marsit, Presidenti Ilir Meta u shpreh se Shqipëria po jeton sot në një regjim njëpartiak, duke u përballur për kthimin 30 vite pas, si në Korenë e Veriut. Në një intervistë për “Euronews” në Francë, Meta përsëriti akuzat ndaj mazhorancës se zhvilloi zgjedhje antiligjore në 30 qershor të 2019, ndërsa manipuloi votat në bashkëpunim me krimit në zgjedhjet e mëparshme.
“Më duhet t’ju them se sot po jetojmë, fatkeqësisht nën një regjim një partiak dhe po përballemi me kërcënimin që të kthehemi tridhjetë vite pas, kur ishim “Koreja e Veriut” e Europës. Gjithashtu më duhet ta them që kjo parti qeverisëse, në bashkëpunim me krimin e organizuar, me dosje që flenë në Prokurori prej tri vitesh, ka manipuluar vullnetin e popullit duke vjedhur zgjedhjet në një kohë kur megjithëse mbarë Europa po kërkon hetim prej vitesh, asgjë nuk po ndodh në këtë drejtim”, deklaroi kreu i shtetit.

Presidenti është pyetur edhe për faktin se ka qenë i akuzuar se nuk ka mbajtur një neutralitet, ashtu siç e përcakton edhe roli i tij kushtetues dhe se anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit mund të cilësohet si një tejkalim të kompetencave. “Por si mund të qëndroj unë mbi politikat partiake kur kemi një kapje totale të shtetit në Shqipëri nga mazhoranca në pushtet. Kur ajo kontrollon çdo gjë dhe kur u tregua shumë qartë në muajt dhe ditët e fundit, se ata guxuan dhe shkuan deri aty sa kapën, ose uzurpuan atributet kushtetuese të Presidentit të Republikës për emërimin e gjykatësve kushtetues, bazuar në manipulime, falsifikim dokumentesh dhe në një mënyrë shumë të strukturuar kriminale”, ka theksuar Meta.
Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me luftën politike mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Këtu po bëhet përpjekja e fundit, që sipas Metës, me anë të ligjit të ri që është krejtësisht kundër Kushtetutës sonë, ata duan të marrin kontrollin e Gjykatës Kushtetuese që është institucioni më i rëndësishëm i Republikës dhe që garanton të drejtat kushtetuese të qytetarëve tanë.
Presidenti më tej thekson se është koha që të reagoj populli shqiptar, dhe që e gjithë bota ta shikojë e ta marrë vesh se çfarë mendon populli për këtë situatë. “Jam i sigurt që ata do të kenë një mesazh tepër të qartë se nuk duan të rikthehen në një regjim njëpartiak si ai nën të cilin kemi jetuar dikur për pesëdhjetë vite”, shprehet Meta, i cili vlerëson qëndrimin e mbajtur nga Bundestagu gjerman për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje