Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për gjendjen civile, duke arsyetuar se këto ndryshime mund të shkaktojnë kaos me listën e votuesve dhe të favorizojnë mazhorancën në procesin zgjedhor të radhës.
Sipas Metës, përmes këtyre ndryshimeve i krijohet mundësia mazhorancës që të transferojë votues në ato zona ku politikisht vlerëson se është më e dobët.
“Një ndryshim i tillë, krijon kaos në hartimin e listave të zgjedhësve. Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike”, deklaron Meta.
Presidenti vlerëson se ky favorizim ndaj mazhorancës në procesin zgjedhor të 25 prillit mund të lindë nga ndryshimi i parashikimit të ligjit aktual, që gjobit me 10 mijë lek të reja qytetarët që nuk deklarojnë vendbanimin e tyre sipas përcaktimeve ligjore.
“Pra sipas kësaj ndërhyrje, shkelja ose mosrespektimi i dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, që dënohej me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile, shfuqizohet. Me vendosjen e (kësaj) dispozite është synuar disiplinimi i shtetasve për deklarimin e vendbanimit dhe/apo vendqëndrimit të tyre, pas përkufizimit të termit dhe specifikës së cilën mbart ky term. Ndërkohë sot, arsyetimi i ndërmarrjes së kësaj nisme si nga nismëtarët, apo dhe nga Komisioni përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë mbështetet në qëllimin për pasjen e të dhënave reale të regjistrimit të shtetasve, e cila do të përmirësohet në kuadër të ndjekjes së një qasje/metodologjie të re liberale, duke mos aplikuar më masa shtrënguese në procedurat që do të zbatohen nga zyrat e gjendjes civile”, thotë Meta.
Pra, sipas Presidentit ka mospërputhje të qëndrimeve të mazhorancës në 2016 kur vendosi gjobën për mosdeklarim të vendbanimit dhe mazhorancës aktuale që e heq gjobën me të njëjtin arsyetim. Presidenti e këshillon mazhorancën që të gjejë rrugë të tjera për disiplinimin e adresave të qytetarëve, që sipas tij, shmangin përdorimin e ligjit për qëllime të përfitimit politik të mazhorancës.
“Një ndryshim i tillë, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend”, thotë Meta.
Presidenti thekson se ndërhyrje të tilla të befta në këtë ligj mund të shoqërohen me ndikime thelbësore në procesin zgjedhor dhe pasoja ligjore dhe politike. Meta shton se çdo qytetar, sipas Kushtetutës, ka të drejtë të zgjedhë vetë vendbanimin e tij dhe se ndryshimet e propozuara në ligjin për gjendjen civile e ndryshojnë këtë.
“Nëse propozimi për shfuqizimin e dispozitës do të ishte realisht në përgjigje të sjelljes neglizhente të shtetasve, apo për cilëndo tjetër arsye që pamundëson deklarimin e vendbanimit të tyre në këto raste, Kuvendi duhej të vlerësonte hapësira të tjera për të lehtësuar pozitën e shtetasve që kanë shkelur afatin e parashikuar nga ligji, dhe nxitjen e tyre për deklarimin e vendbanimeve siç dhe ligji parashikon”, thotë Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje