Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për heqjen e TVSH-së për jahtet dhe mjete të tjera lundruese që përdoren për qëllime turistike. Në arsyetimin ligjor të vendimit, kreu i shteti radhit disa arsye, por kryesorja është se ligji nuk është shkruar shqip.
“Ligji, duke filluar nga dispozita e përkufizimeve, apo në tekstin integral të tij përmban terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe. Në mënyrë joshteruese, po rendisim disa prej këtyre termave: “surf”; “windsurf”; “wakeboard”; “kitesurfing”; “bareboat”; “kroçera”; “surf”-et me vela; “kanoat”; “on-line””, thotë Meta.
Sipas Presidentit, përdorimi i termave në gjuhë të huaj, bën që ligji në tërësi të jetë në kundërshtim me me Kushtetutën që thotë se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja.
“Përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj, në një ligj, pra në aktin më të lartë me fuqi detyruese që nxjerr Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, që përbën aktin zyrtar bazë pas ligjit themeltar të vendit: Kushtetutës, jo vetëm shkel parimin se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe, por cenon drejtpërdrejtë dhe identitetin kombëtar, të mbrojtur posaçërisht që nga preambula e Kushtetutës sonë”, vijon Meta.
Meta thotë se cenohen edhe rregullat e teknikës legjislative dhe mes arsyetimit juridik nuk shmangen edhe dozat e ironisë me Parlamentin.
“Për ta bërë më të thjeshtë për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët, po përzgjedhim tri fjalë të huaja të vendosura në këtë ligj. Cila ka qenë ideja e Kuvendit mbi mënyrën e leximit në shqip të fjalës “surf”? Do të lexohet drejtpërdrejt sipas shqiptimit të shkronjave shqipe që përbëjnë këtë fjalë, apo në gjuhën angleze ku shqiptimi i kësaj fjale është “sërf”? Po për fjalët e përdorura në ligj “windsurf” dhe “wakeboard”, të cilat kanë në përbërjen e tyre shkronjën “W”, shkronjë kjo që nuk përfshihet në alfabetin e gjuhës shqipe, do të lexohen në gjuhën angleze “uindsërf” dhe “ueikbord”?”, pyet Presidenti.
Për më tepër, Presidenti Meta i këshillon Kuvendit që t’u referohet parimeve dhe rregullave të drejtshkrimit të vendosura në Kongresin e vitit 1972.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje