Politike

Meta kthen ligjin për Vettingun në polici: Shkel Kushtetutën

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimin e ligjit të Vettingut në polici.

Në arsyetimin e tij, kreu i shtetit, kërkon pezullimin e përkohshëm të Vettingut në Policinë e Shtetit, me qëllim që fillimisht në sitë të kalojnë drejtuesit e SHÇBA-së e më pas të vlerësohen gradat më të ulëta.

Për presidentin, ky ligj ka qëllime politike që synojnë të zgjasin për një kohë tepër të gjatë procesin e Vettingut dhe të intimidojnë efektivët e policisë.

Meta evidenton se nisma, jo vetëm shkel nenin 82, të Kushtetutës, pasi shtyn pa afat duke e pezulluar procesin e Vettingut për një pjesë të trupës policore, por shkakton edhe një efekt negativ financiar në Buxhetin e Shtetit, pa marrë as miratimin e Këshillit të Ministrave siç kërkon Kushtetuta në këto raste.

“Kjo gjendje me afat të papërcaktuar, ndikon drejtpërdrejt në rezultatet dhe punën e forcave policore, të cilat do të vihen nën një situatë edhe më të shtuar pasigurie dhe tensioni. Kjo pasiguri e personelit policor, ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor“, – shkruan Meta.

Presidenti hedh dyshime mbi veprimet e mazhorancës për ndryshimet e shpeshta të ligjeve me rëndësi, siç është edhe Vettingu në polici.

“Ndryshime kaq të shpeshta, tregojnë ose për gabime në procesin legjislativ në momentin fillestar të miratimit të ligjit bazë dhe që tashmë duhet të ishte pranuar nga nismëtarët e të ishin nxjerrë përgjegjësitë për dështimin e kësaj nisme, ose për një qëllim politik për ta mbajtur procesin e Vettingut në polici të hapur për një kohë të gjatë, me qëllim pasjen e një mekanizmi presioni, intimidimi dhe shantazhi  përkundrejt trupës policore”.

Presidenti Meta citon gjithashtu se kjo nismë ligjore bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë