Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin e miratuar së fundmi nga mazhoranca për përmirësimin e zonave të biznesit, njohur shkurtimisht si BID.
Në arsyetimin e dhënë Presidenti thotë se ligji në fjalë shkel Kushtetutën dhe bie ndesh me ligje të tjera në fuqi, takson dyfish biznesin e vogël dhe transferon pa një mekanizëm kontrolli para publike tek sipërmarrës privatë.
Meta shprehet se ligji shkel parimet kryesore kushtetuese të: lirisë së veprimtarisë ekonomike; ushtrimit të së drejtës së pronës private me gjitha tagrat e saj (zotërimin); mënyrës së caktimit të taksave dhe tarifave vendore; mënyrës së administrimit të fondeve publike dhe të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të detyrueshme të njësive të vetëqeverisjes vendore.
“Në këtë mënyrë, ky akt i ri ligjor, përveç se shkel nenit 11, 41, dhe 155 të Kushtetutës, në disa nene të tij njëkohësisht, përmban parashikime që bien ndesh me legjislacionin aktual në fuqi, duke mosrespektuar për pasojë edhe nenin 116 të Kushtetutës që përcakton hierarkinë e akteve në Republikën e Shqipërisë”, thotë Presidenti.
Kreu i shtetit mendon se përmes këtij ligji, bashkitë detyrohen që të heqin dorë duke deleguar funksione të padelegushme, që lidhen me pronat dhe mbledhjen e taksave dhe tarifave, duke ia kaluar për ushtrim këto një organizate jofitimprurëse. Kjo, sipas Metës, bie ndesh me ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.
“Këto funksione janë funksione, të përcaktuara me ligj, të deleguara dhe të detyrueshme. Dhe ligji nuk parashikon mundësinë e heqjes dorë prej ushtrimit të tyre, apo nëndelegimit, siç parashikohet në këtë rast me ligjin përmes marrëveshjes operacionale që do të lidhë bashkia me organizatën “BID”, shton ai.
Veç kësaj, Meta e konsideron ligjin në fjalë edhe si rrezik për pronën private dhe nxit pasiguri juridike për statusin e kësaj prone.
“Ky ligj, në tërësinë e tij, përmes parashikimeve për mënyrën e krijimit, organizimit dhe të imponimit të organizatës BID ndaj zotëruesve të njësive ndërtimore në një zonë të caktuar, krijon detyrime rënduese për biznesin e vogël, duke cenuar lirinë e pronës, lirinë ekonomike dhe duke i vënë para një skeme të taksimit të dyfishtë”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje