Politike

Meta kthen në Kuvend ligjin për “Sigurimin e detyrueshëm në transport”

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Duke dhënë arsyet e këtij dekreti, Meta thekson se ky draft nuk garanton cilësisht mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Referuar kohës që ka marrë hartimi i këtij projektligji, por dhe debatit publik që ka shoqëruar këtë ligj me kaq rëndësi për përditshmërinë e jetës shoqërore në vend, duket krejtësisht e besueshme ideja se, ‘lobimi i kompanive siguruese’ ka rrëzuar mekanizmin e ri bonus-malus, që fillimisht ishte si një risi në draftin e ligjit të hartuar nga AM, ndërkohë që Ministria e Financave, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, duket se nuk kanë mundur t’i rezistojnë presionit të kompanive të sigurimit”.

Sipas Metës, përmbushet kështu sërish një kërkesë jo objektive e kompanive të sigurimit.

“Referuar kohës së gjatë që ka marrë hartimi i këtij projektligji, historikut të ndryshimit të drafteve të projektligjit në raport me përmbajtjen e ligjit të miratuar, del po kaq qartë në dritë fakti se, lobimi kundër sistemit bonus-malus, ja ka arritur qëllimit”.

Për kreun e shtetit, edhe këtë herë, Kuvendi i Shqipërisë, ka treguar për të disatën herë se nuk përmbush kërkesat e shoqërisë shqiptare, “por përballë interesave të qytetarëve me ato të biznesit, tërhiqet dhe anon nga pakica, duke lënë sërish shtigje të hapura dhe kleçka ligjore që tregu i sigurimeve të mos rregullohet sipas orientimit dhe forcës shtrënguese të ligjit, por sipas dëshirës apo dakordësisë të kompanive të sigurimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë