Gazeta Si – Presidenti Ilir Meta u kërkon të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të shpallin papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit në gjykimin e çështjes së shkarkimit të tij.
Në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese, Meta thotë se gjashtë nga shtatë anëtarët që ka aktualisht kjo gjykatë janë në konflikt interesi, pasi janë zgjedhur përkatësisht nga Presidenti dhe Kuvendi, dy organet që janë përfshirë në këtë konflikt gjyqësor.
Ndërkohë, për Vitore Tushën, njëkohësisht kryetare e Gjykatës Kushtetuse, Presidenca thekson se asaj i ka përfunduar mandati prej pesë vitesh tashmë.
“Gjykata Kushtetuese, përbëhet sot nga 7 anëtarë – 6 prej të cilëve janë emërtesë/zgjedhur pikërisht nga institucionet në këtë konflikt gjyqësor (Kuvend-President), ndërsa anëtari i shtatë – Kryetari, është i zgjedhur nga të dy organet President-Kuvend, që prej vitit 2008, dhe që sot është në vitin e 5-të, të ushtrimit të detyrës, përtej mandatit 9-vjeçar kushtetue dhe në pritje të gjyqtarit zëvendësues”, thuhet në kërkesën e Presidencës.
Më pas, duke u ndalur në emra konkretë të anëtarëve, Presidenca thekson përplasjen me Fiona Papajorgjin, të cilën e ka paditur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkelje të rënda të ligjit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në lidhje me anëtarin Përparim Kalo, Presidenca kujton se atij i përfundon mandati dhe Kuvendi ka hapur thirrjen për plotësimin e kësaj vakance. Për të kundërshtuar pjesëmarrjen e Kalos në këtë gjykim, Presidenca citon në kërkesën e saj një shkrim të publikuar nga anëtari i Gjykatës Kushtetuese në media. Në këtë shkrim, Kalo thotë se Shqipëria është i vetmi vend ku zëvendësuesve të anëtarëve që largohen para përfundimit të mandatit nga Gjykata Kushtetuese nuk u jepet mandat i plotë 9-vjeçar, por vetëm pjesa e mbetur e mandatit të lënë përgjysmë. Ai kërkon mes rreshtave që Kuvendi të rishikojë mundësinë e ndryshimit të ligjit.
Për Presidencën, si i zgjedhur nga Kuvendi ky shkrim i Përparim Kalos është ftesë që atij dhe anëtarit tjetër, Altin Binaj t’u zgjatet mandati në Kushtetuese si anëtar me mandat të plotë, çka bie në konflikt interesi, sipas këndvështrimit të Presidencës.
Presidenca thotë se është shkelur afati 3-mujor kushtetues për marrjen në shqyrtim prej saj të kërkesës për shkarkimin e tij dhe akuzon Gjykatën se përmes një vendimi rregullator të vitit të kaluar, ku ka shpallur periudhën e pushimit nga data 1 gusht deri më 10 shtator ka përvetësuar kompetencat e Kuvendit, duke mos e llogaritur këtë periudhë te afatet për shqyrtimin e çështjeve.
“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk gjen asnjë referencë ligjore, pasi nëse Kuvendi i Shqipërisë, do të kishte dashur ta konsideronte periudhën e lejes vjetore si shkak për pezullimin e ecurisë së afateve, kjo gjë do të ishte shprehur në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që, sa herë që ligjvënësi ka vlerësuar se duhet të procedohet me pezullimin e gjykimit, këtë e ka parashikuar në mënyrë të shprehur në ligj. Gjykata Kushtetuese, përmes këtij vendimi, ka tentuar të krijojë një normë të re, por të pambështetur, me qëllim ndërprerjen e ecjes së afateve, për shkak të pushimit vjetor të gjyqtarëve, që duhet thënë që është një e drejtë dhe jo detyrim. Pra rezulton se Gjykata Kushtetuese, ka marrë atributet e Kuvendit të Shqipërisë, edhe pse Kuvendi i Shqipërisë nuk ka dashur t`ia japë këtë atribut, apo ta bëjë vet atë”, thotë Meta.
Presidenca e klasifikon këtë si një ndër shkeljet më të rënda të Gjykatës Kushtetuese, që dëmton besueshmërinë e trupës së saj përballë një çështjeje me kaq rëndësi sa shkarkimi i Presidentit të Republikës.
“Të gjitha këto shkaqe janë më se të mjaftueshme, që Presidenti i Republikës të kërkojë që secili prej anëtarëve të Gjykata Kushtetuese të vlerësojë apo rivlerësojë situatën e pamundësisë ligjore, papajtueshmërisë dhe konfliktit të interesit, që vënë në dyshim paanshmërinë e tij/saj në shqyrtimin e kësaj çështjeje me këto palë dhe këtë objekt”, vijon kërkesa e Presidentit Meta.
Presidenca fton anëtarët e gjykatës që ta shqyrtojnë kërkesën e saj me objektivitet dhe brenda një afati të arsyeshëm, ndërsa Kuvendi tha se kërkesa e Presidentit Meta synon që të zvarrisë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje