Politike

Meta mbrohet në Kushtetuese: Gjykata të tërhiqet! Ka shkaqe për njëanshmëri në shqyrtim

Presidenti Ilir Meta nuk u paraqit personalisht në seancën plenare të Gjykatës Kushtetuese, por ekipi i tij i juristëve prezantoi thelbin e pretendimeve që kundërshtojnë kërkesën dhe raportin e miratuar nga socialistët në Kuvendin e kaluar për shkarkimin e tij.

Seanca ka nisur me kërkesën e këshilltarit ligjor të Presidentit, që kërkoi heqjen dorë nga shqyrtimi i çështjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar rastit të gjyqtares Fiona Papajorgji, të cilën e ka paditur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkelje të rënda proceduriale dhe ligjore gjatë relatimit të çështjes së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Këshilltari ligjor i Presidencës vuri në dukje edhe faktin që kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha i ka përfunduar mandati prej pesë vitesh tashmë.

Një tjetër pretendim i Presidencës lidhet me faktin që vendimi për t’u shkarkuar është marrë nga Kuvendi i kaluar, ndërsa Gjykata Kushtetuese po merr vendim në një kohë që përbërja e Kuvendit ka ndryshuar e rrjedhimisht, sipas Presidentit mund të ketë ndryshuar edhe vullneti politik për shkarkimin e tij.

Mes pretendimeve të Presidencës janë edhe afatet e punës së Komisionit Hetimor që u ngrit për shkarkimin e tij nga Kuvendi i kaluar. Sipas Presidencës, fryma e ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare ndalon punën e tyre katër muaj nga përfundimi i mandatit të Kuvendit. Ky afat përfundonte më 9 maj, ndërsa puna e Komisionit zgjati deri më 24 maj të vitit të kaluar.

Përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka kundërshtoi pretendimet e Presidencës dhe kërkoi që gjykata të vazhdojë me gjykimin e çështjes. Ajo hodhi poshtë pretendimet e Presidentit.

“Nuk gjykojmë që ka shkelje. Argumente për shkelje të procedurës nuk ekzistojnë dhe nuk e cenojnë gjykimin e çështjes”, tha Bushka.

Gjykata u tërhoq për të marrë vendim me kërkesat e Presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë