Në tubimin e thirrur në mbrojtje të Kushtetutës kundër atij që e quan “grusht shteti”, Presidenti Ilir Meta la mënjanë gjuhën prej kreut të shtetit dhe u tregua më i drejtpërdrejtë e me doza të forta opozitarizmi në drejtim të mazhorancës, ku nuk munguan edhe paralajmërimet.
“Ka nga ata që janë të pakënaqur dhe duan që sot shpërndarje të Parlamentit puçist. Më duhet të firmos këtë dekret dhe më pas do të kthehem edhe për atë dekretin tjetër, të cilin e brohoritët më shumë se ky”, tha Meta.
Pas këtyre fjalëve, Presidenti dekretoi rrëzimin e ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese përmes një deklarate, procedurë që i heq kreut të shtetit ekskluzivitetin e kësaj ceremonie. Pas firmosjes së këtij dekreti mbërriti paralajmërimi.
“Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare, që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret, betohem në emër të Flamurit, se pas datës 15 mars, kur të përfundojë reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse nuk do ta marrin seriozisht popullin kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por do ta firmos mu në mes të Parlamentit, në mes të krimit. Unë i pari dhe i gjithë populli kuqezi nga pas”, deklaroi Meta.
Para se të firmoste këtë dekret, Meta hodhi në votim duke pyetur pjesëmarrësit nëse ishin për shpërndarjen e Parlamentit. Brohorimat miratuese i mori për “Pro”, por për momentin nuk e firmosi një dekret të tillë, duke e kushtëzuar atë me vendimin që do të marrë mazhoranca në lidhje me dekretin që rrëzoi ligjin për betimet.
Meta tha se mazhoranca kujton se institucionet që kontrollon janë supreme ndaj Presidentit. Por, ai nuk mendon kështu dhe si shembull merr 30 qershorin 2019, datën e zgjedhjeve vendore.
“Këta nuk kanë kuptuar asgjë akoma. Kujtojnë se institucionet e tyre janë supreme dhe se askush nuk zbaton dekretet e Presidentit. Por, dekretin e Presidentit e zbatoi mbarë populli shqiptar duke i bojkotuar në mënyrë masive zgjedhjet e 30 qershorit”, vijoi ai.
Paralajmërime pati për aktorët e atij që e quan puç, vendas dhe të huaj.
“Presidenti i popullit kuqezi ulet në gjunë vetëm para Flamurit dhe popullit kuqezi, para popullit të shqiponjave. Këtë ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze që kërkon të shkatërrojë sovranitetin dhe pushtetin tuaj. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit”, vijoi Meta.

Presidenti tha se vendi është lënë qëllimisht pa Gjykata Kushtetuese dhe foli për një plan shpopullimi që po zbatohet nga puçistët dhe financuesit e tyre ndërkombëtarë.
“Ky gjysmëparlament është shndërruar në një kukull të sektit pa fe, pa familje dhe pa atdhe. Grushti i shtetit, diktatorët e grushtit të shtetit dhe financuesit e tij janë edhe ideatorët e shpopullimit të Shqipërisë”, tha ai.
Meta tha se plani për grushtin e shtetit dhe shpopullimin e vendit nisi në 2017 me vjedhjen e zgjedhjeve. Ai thotë se dosjet 184 dhe 339 janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që ka ndodhur në procesin zgjedhor të 2017-ës.
Presidenti kërkoi ndjesë, pasi siç tha, edhe për shkak të detyrës dhe të mbrojtjes së interesave të vendit nuk ka treguar as 10 për qind të krimeve, që sipas tij, janë kryer kundër sovranitetit dhe interesave të popullit.
Ai tha gjithashtu se ekonomia është në ditët e saj më të errta, se oligarkët kontrollojnë Parlamentin monopartiak dhe bëjnë krime të tmerrshme kushtetuese, mes të cilëve përmendi atë që denoncoi një ditë më parë, ligjin për dividentin.
“Populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve, shushunja që pijnë çdo ditë gjakun e popullit tonë përmes koncesioneve dhe PPP-ve. Kërkojnë Gjykatën Kushtetuese që krimet e tyre të mbeten të pandëshkuara. Jemi sot këtu, sepse asnjë nga ne nuk mund t’i qëndrojë anash grushtit të shtetit, jemi këtu për t’u vendosur përballë grushtit të shtetit”, deklaroi Meta.
Presidenti mbylli fjalën e tij duke thënë se demokracia nuk rrezikohet kur populli ngrihet për të mbrojtur Kushtetutën. “Kur populli ka frikë nga Qeveri, aty ka zgjedhë, kur Qeveria ka frikë nga populli, aty ka liri, ka drejtësi”, tha Meta.
Basha merr pjesë si qytetar
Thirrjes së Presidentit për të marrë pjesë në tubimin në mbrojtje të Kushtetutës iu përgjigj edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Por, Basha u kujdes në çdo detaj që të mos ngatërrohej pjesëmarrja e tij në këtë tubim me qëndrimin e opozitës.
Ai iu bashkua manifestuesve në bulevard duke dalë nga Hotel Rogner dhe pyetjes së gazetarëve iu përgjigj se ndodhej si qytetar në mbrojtje të Kushtetutës dhe jo si politikan.
Po, ashtu në protestë ishin edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, që e cilësoi tubimin si fundin e “narkoshtetit”. Në protestë nuk munguan as drejtues të tjerë të opozitës dhe figura publike. Ndërkohë, në podium Ilir Metës iu bashkuan emra si Ledi Bianku, ish-anëtar i Gjykatës së Strasburgut dhe artistët Bujar Kapexhiu dhe Edmond Budina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)









Lini një Përgjigje