Presidenti Ilir Meta ka publikuar sot një nga nismat e tij për mbrojtjen e zgjedhjeve dhe i ka ftuar qytetarët në një Aleancë për të garantuar një proces elektoral të lirë dhe të ndershëm.
Kreu i shtetit, 30 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, i ka bërë thirrje qytetarëve që të mbrojnë votën e tyre.
Sipas tij, “krimi zgjedhor, godet dhe shtrembëron vullnetin e zgjedhësit, instalon autokracinë dhe rrezikon demokracinë, duke përdhosur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale, që mbrohen prej saj“.
Po ashtu, ai shton se rreziku i shit-blerjes së votës, është i pranishëm dhe kërcënues.
“Demokracia merr kuptim vetëm nëse qytetarët, mbrojnë të drejtat e tyre duke refuzuar e denoncuar çdo përpjekje, që shtrembëron vullnetin e tyre në zgjedhje. Ne duhet denoncojmë hapur dhe pa hezitim çdo krim zgjedhor”, – thuhet në mesazhin e tij.
Për të gjitha problemet që mund të hasin qytetarët, ai i fton që të raportojnë në rubrikën e veçantë që është hapur në faqen e institucionit të Presidentit.
Kjo është bërë pikërisht sot që nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 25 prillit.
Meta i fton të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të mos hezitojnë, të mos tremben, por me kurajë dhe pa hezitim, të denoncojnë në mënyrë të dokumentuar, me çdo mjet, me zë dhe me figurë, çdo veprim të kundërligjshëm.
“Çdo lloj veprimi, që përbën kanosje apo dhunim të zgjedhësve, apo subjekteve zgjedhore, apo çdo shkelje, që i bëhet të drejtës së votës së qytetarëve; Çdo veprim, që synon të pengojë ushtrimin e të drejtave nga subjekteve zgjedhore gjatë këtyre zgjedhjeve; Të denoncohet çdo falsifikim që mund të tentohet t’i bëhet materialit zgjedhor apo rezultatit të zgjedhjeve; Të denoncohet çdo veprim, që synon të dëmtojë materialet zgjedhore; Të denoncohet çdo veprim apo mosveprim, që dhunon votimin e fshehtë”, – vijon presidenti.
Presidenti kërkon, “të denoncohet çdo përpjekje apo veprim, që synon votimi më shumë se një herë; Të denoncohet çdo veprim që synon korrupsionin aktiv apo pasiv në zgjedhje; Të denoncohet çdo tentativë apo përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore; Të denoncohet çdo lloj veprimi që synon pengimin e zgjedhësit në votime; Të denoncohet çdo shkelje e së drejtës së zgjedhjes; Të denoncohet çdo veprim, që synon të tërheqë apo të përdorë në mënyrë të paligjshme dokumente të identifikimit të personave të tjerë; Të denoncohet pa hezitim, çdo anëtar i Forcave të Armatosura apo i Policisë së Shtetit, i cili shpërdoron detyrën, duke u angazhuar politikisht, apo duke mbështetur me veprime apo mos veprime një forcë politike”, – thuhet në mesazhin e Metës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje