Presidenti Ilir Meta është shfaqur nostalgjik për korridoret dhe sallat e komisioneve parlamentare në Kryesinë e Kuvendit, ambiente të cilat deri në 2017 i njihte me sy mbyllur si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Meta i është përgjigjur publikisht pyetjeve të shumta që thotë se ka marrë në lidhje me vendimin nëse do të paraqitet, apo jo para Komisionit Hetimor parlamentar të kryesuar nga Ulsi Manja që është ngritur me mision shkarkimin e tij, më 9 shtator.
“Të dashur miqtë e mi gazetarë, Më “çmendët” me sms tuaja, si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?! Së pari, Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik. Së dyti, unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti”, shkruan Presidenti në rrjetet sociale.
Pjesa e dytë e reagimit mund të marrë edhe një interpretim tjetër. Përveç atij të “kthimit në Parlament si i paditur nga shumica për shkelje të rënda të Kushtetutës, mesazhi mund të përmbajë edhe “padurimin” e Ilir Metës për t’u shkëputur nga detyra e Presidentit dhe rikthimi në Parlament si deputet, që në zgjedhjet e ardhshme. Meta zgjedhjet i sheh si zgjidhje e vetme, ndërsa për mazhorancën ato janë në vitin 2021.
Duke e zhveshur nga nënkutpimet dhe sipas këtij pohimi, Meta pritet që javën e ardhshme të përballet me Komisionin Hetimor, komision që ditën e hënë e vlerësoi si mjet propagande për të hequr vëmendjen nga probleme të tjera edhe më madhore që ka vendi.
Presidenti i cilëson absurde pyetjet që ka marrë, por pjesëmarrja e tij dyshohej nga deklaratat dhe vendimet e së shkuarës, me anë të të cilave tërthorazi ngre dyshime mbi kushtetueshmërinë e Parlamentit aktual. Dyshimet qarkullonin që pas mosplotësimit të të gjithë mandateve të djegura të PD dhe LSI-së, por u përforcuan kur Presidenti i kërkoi zyrtarisht informacion KQZ-së mbi numrin e deputetëve të Parlamentit aktual, duke hamendësuar se përbërja prej 122 deputetësh bie ndesh me Kushtetutën që flet për një Parlament prej 140 anëtarësh.
Shkarkimi i Metës në dorë të “Venecias”, dy afatet kur mbërrin opinioni
Mazhoranca thotë se nuk do të hedhë për votim në seancë plenare në Kuvend propozimin e Komisionit Hetimor të ngritur kundër Presidentit Ilir Meta, pa u njohur më parë me opinionin e Komisionit të Venecias, të cilit i socialistët i kanë dërguar disa pyetje.
Përmes përgjigjeve që do të marrin për pyetjet e dërguara Komisionit të Venecias, socialistët shpresojnë që të përforcojnë qëndrimin e tyre se Ilir Meta shkeli Kushtetutën e vendit. Pyetjet synojnë që të zbardhin rolin e Presidentit në një Republikë Parlamentare, siç është edhe vendi ynë.

Në datat 10 dhe 11 shtator, në Tiranë do të mbërrijë një delegacion ekspertësh i Komisionit të Venecias. Në agjendën e grupit faktmbledhës të këtij Komisioni janë takimet me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, anëtarët e Komisionit Hetimor dhe deputetët e opozitës parlamentare.
Në agjendë është edhe takimi me ministrin e Brendshëm, Sandër lleshajn dhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këto takime pritet të shërbejnë për ekspertët e Venecias për mbledhjen e incidenteve të ndodhura para dhe gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit, për të dhënë më pas një opinion se sa kanë ndikuar deklaratat dhe vendimet e Metës në nxitjen e këtyre incidenteve, ashtu siç mazhoranca e akuzon Presidentin.
Misioni faktmbledhës do të pasohet nga hartimi i draft-opinionit, i cili që të marrë forcën e një “opinioni zyrtar” të Komisionit të Venecias duhet që të votohet në një sesion plenar. Kjo do të thotë se Parlamenti nuk do të realizojë asnjë vendimmarrje sa i takon shkarkimit të Ilir Metës si President para datës 12 tetor, atëherë kur është edhe sesioni i radhës i Venecias.
Por, në varësi të volumit të dokumentacionit dhe dëshmive që do të mblidhen në Tiranë, draft-opinioni mund edhe të shtyhet për në sesionin e radhës, që është në ditët e para të muajit dhjetor. Rasti i fundit kur politika shqiptare iu drejtua Venecias ishte ai për marrjen e mendimit për vettingun politik. Ky vetting ishte një kërkesë e fortë e opozitës përgjatë verës dhe ditëve të para të vjeshtës së 2018. Mazhoranca e çoi këtë propozim për vlerësim nga Komisioni i Venecias më 28 shtator. Përgjigja, që u cilësua fitore nga të dyja palët politike, mbërriti më 5 dhjetor të 2018.
Pra, që të arrihet deri tek vendimmarrja për shkarkimin e Ilir Metës do të duhet ende kohë, aq më tepër që kriterit të vetëvendosur nga mazhoranca për të dëgjuar më parë Venecian dhe më pas të dalë me një vendim i shtohet edhe kriteri ligjor, sipas të cilit vendimi përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese, gjykatë që sot nuk është funksionale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje