Lajme

Meta në Kalabri: Skënderbeu i bashkon shqiptarët në botë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nisur që prej dy ditësh vizitën zyrtare në Kalabri të Italisë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.

Ditën e sotme së bashku me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, kreu i shtetit shqiptar theksoi kontributin e dhënë nga arbëreshët si për Italinë ashtu edhe ndaj Shqipërisë. Gjithashtu, presidenti Meta solli në kujtesë kontributin dhe ndihmën e madhe që dha Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në mbrojtje të krishterimit.

“Jemi pikërisht këtu në gjurmët e Jeronim De Rada. Popujt tanë nuk i bashkon vetëm deti, por edhe historia. Kemi një moment kulmor të marrëdhënieve tona. Heroi ynë Kombëtar për vite me radhë jo vetëm mbrojti lirinë tonë, por u bë mburojë e krishterimit dhe qytetërimit.  Fatkeqësisht, me vdekjen e tij, pushtimi osman solli edhe lëvizjen e arbëreshëve drejt Italisë. Për fatin e tyre të mirë i mirëpriti një vend tjetër, i cili i lejoi  të krijonin fshatrat e tyre dhe komunitetin arbëresh. Një fakt kuptimplotë është edhe kontributi i arbëreshëve për të krijuar një Itali të pandashme”, u shpreh Meta.

Ndërkohë, Meta falënderoi edhe shtetin italian, i cili ka pranuar dhe integruar plotësisht komitetin shqiptar të arbëreshëve.

“Një falënderim të madh dhe të përzemërt ia kemi Italisë për kontributin dhe ndihmën që ka dhënë për arbëreshët dhe shqiptarët”, shtoi kreu i shtetit shqiptar.

Po ashtu, kreu i shtetit, Ilir Meta, më herët edhe në rrjetin social “Facebook”  u shpreh entuziast që gjendet mes komunitetit arbëresh.

“Shumë i lumtur të jem sot mes komunitetit arbëresh së bashku me mikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Presidentin Sergio Mattarella në Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korona, në djepin e arsimit dhe kulturës arbëreshe”, shkruan presidenti Meta.   Vizita e kreut të shtetit shqiptar në Kalabri është pritur me entuziazëm nga arbëreshët që jetojnë në komunat e këtij rajoni të Italisë.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/1994905233889073?xts__[0]=68.ARDo-YcfiWYQ0uHUF1Xv1KADGy3X4bldTZwmE4nubhmdNa2WB5Xz_qb0Be8GZCwgd1AKw1mRxO8y2lySka8zLDAvo81bYNEiXQ_HWxuppb3k3wb_2412LTPmL4XMKHR9-koWvD0l6V2adlSxeD_qgvgHh9RcqdxPw0YT2XdGkCtnWui3F6dOLgx1i7HMTkrXun8HTTGd9teRf7_c1Nz2ZfQ6-wY&__tn=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë