Politike

Meta në samitin e Presidentëve: Të anëtarësohemi në BE! Diskutimet për kufijtë e shkuar e errët

Presidenti Ilir Meta shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të realizuar ambicien e saj për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, si edhe ritheksoi zotimin e unifikuar të politikës shqiptare në politikën e jashtme krah BE-së dhe NATO-s.

Kreu i shtetit foli në Samitin e Brdo-Brijunit në Slloveni.

“Ne e kuptojmë se duhet të ofrojmë reforma në shumë fusha dhe se kjo punë në progres do të çojë në një kalendar optimist kohor të negociatave me Bashkimin Europian. Theksoj gjithashtu se ne mbështetemi tek anëtarët dhe miqtë tanë të BE-së të Procesit Brdo-Brijuni, Sllovenia dhe Kroacia, për të ushtruar ndikimin e tyre pozitiv mbi ato vende anëtare të BE-së, të cilat ende hezitojnë të lehtësojnë procesin e integrimit europian, pasi këto kushte të jenë plotësuar”, tha Meta.

Presidenti u shpreh optimist se presidenca sllovene e BE-së, që nis më 1 korrik do ta përforcojë edhe më shumë vëmendjen e Brukselit ndaj rajonit tonë.

“10-vjetori i Procesit Brdo-Brijuni përkoi me Presidencën sllovene të Bashkimit Europian dhe ne kemi besim se Sllovenia do të shprehë akoma edhe më shumë përkushtim dhe vëmendje ndaj zhvillimeve, bashkëpunimit politik, ekonomik dhe reformave të integrimit të vendeve të rajonit tonë, në mënyrë që ato të përshpejtojnë integrimin e tyre në Bashkimin Europian”, tha ai.

Meta kërkoi nisjen sa më parë të negociatave me BE-në si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, ndërsa i cilësoi si të kaluar të errët detabet për kufijtë, që kanë buruar nga disa dokumenta jozyrtare të dala pikërisht nga Sllovenia.

“Jemi akoma në kohë për të treguar mençuri dhe pjekuri, duke vendosur që të shkëputemi nga e kaluara e errët dhe e dhimbshme e rajonit tonë, duke gjetur zgjidhje për problemet e mbetura hapur, për të parë drejt së ardhmes sonë të përbashkët dhe vlerave europiane”, u shpreh Presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë