Vetëm një protestë si ajo e 2 marsit, sipas Presidentit Ilir Meta, është zgjidhja e situatës në vend.
Në Ditën Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, Meta thekson përmes një postimi në Facebook se, “Shqipëria është në një gjendje tepër të rëndë ekonomike”
“Banka Botërore në konkluzionet e fundit vjetore e rendit vendin tonë me recesionin më të lartë në rajon, me një rënie të madhe ekonomike që parashikohet nga – 8% në -9% për vitin 2020.
Edhe për shkak të pandemisë COVID-19, me mijëra biznese janë mbyllur, ndërkohë që niveli i papunësisë krahasuar me një vit më parë ka arritur në 11.9% në gjashtë mujorin e parë të vitit.
Dërgesat nga diaspora janë ulur ndjeshëm duke ndikuar në një rënie drastike të të ardhurave të familjeve më në nevojë, që reflektohen në uljen e konsumit.
Tronditës është fakti se niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është rritur në 41.5%, nga 35.6% k krahasuar me vitin e kaluar”, shkruan ai.
Sipas tij, niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton 2 herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit, ku: në Maqedoninë e Veriut është 23.3 %,; në Kosovë 22,9%; në Malin e Zi 20,4%; në Serbi 18,9%.
“Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë…”, nënvizon Meta
“Varfëria, vijon ai, nuk zgjidhet as me propagandë, as me statistika nga televizori, as me një thes miell, as me nxitjen e fenomeneve kriminale si kanabisi”
“Është e papranueshme që një grusht oligarkësh dhe banditësh, siç është edhe mafia e inceneratorëve, të pasurohen çdo ditë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa një qytetar në nevojë apo një pensionist me fëmijët në emigracion të mbijetojë me 5.5 USD/dita, në kushtet e rritjes së shfrenuar të çmimeve”, shkruan Meta.
Ndaj, sipas tij, është koha të veprojmë.
“Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit. ZËRI I POPULLIT, ZËRI I ZOTIT! ORA E PËRBALLJES PO AFRON”, shkruan Meta duke e shoqëruar edhe me një video nga protesta e 2 Marsit kur ai doli në shesh dhe drejtoi tubimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje