Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për mediat, që ai e cilësoi si të pazakontë me paralajmërimin se në ditët në vazhdim do të ketë edhe të tjera dalje të tilla. Në këtë konferencë, kreu i shtetit ngriti disa pyetje drejtuar SPAK-ut dhe Edi Ramës në lidhje me grumbullimin e të dhënave të qytetarëve nga ana e Partisë Socialiste.
Meta u shpreh se ka prova që të ashtuquajturit “patronazhistë” kanë ndërhyrë deri te jeta intime e qytetarëve.
“Me ç’të drejtë i ke marrë të dhënat personale të shtetasve shqiptarë? Me ç’të drejtë Edi Rama u ka caktuar shqiptarëve nga një fuks, që kanë ndërhyrë deri tek jeta intime e tyre, sepse do të ketë prova për këtë në ditët e ardhshme”, tha ai.
Kryeministrin Edi Rama e akuzoi se me grumbullimin e këtyre të dhënave ka hapur dyert e krimit kibernetik në Shqipëri. Presidenti këmbëgul se në vend kanë rënë institucionet dhe të vetmet funksionale janë dy.
“Presidenti dhe populli”, u shpreh ai.
Meta cilësoi si të manipuluara nga Edi Rama sondazhet e publikuara këto ditë në media mbi prirjen e votës në 25 prill.
“Opozita ka mbi 90 mandate. Të gjitha sondazhet janë të blera nga Edi Rama”, deklaroi Presidenti.
Vetë opozitën e paralajmëroi se nëse ka ndërmend që të “tregtojë” mandatet e deputetëve do të ketë përballë Presidentin.
Më herët, Meta denoncoi sipas tij fryrjen e administratës shtetërore me 10 mijë vetë më shumë se një vit më parë për çështje elektorale.
“Këto vende pune, të cilat nuk kanë asnjë ndikim në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë, paguhen me taksat e qytetarëve duke e rënduar edhe më shumë gjendjen e tyre ekonomike. Ndërsa shteti i kapur, hap 10 mijë vende pune në administratën publike, pa asnjë vlerë, për të “rehatuar” kryesisht patronazhistët, dhjetëra mijëra vende pune humbin në sektorët prodhues dhe mijëra biznese mbyllen dhe falimentojnë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje