Gazeta Si –Presidenti Ilir Meta i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të hetojë dhe marrë masa disiplinore ndaj anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.
Sipas Presidentit, në Kushtetuese janë shkelur procedurat ligjore për relatimin e dosjes së vlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019-të dhe gjyqtarja Fiona Papajorgji ka luajtur një rol thelbësor në këto shkelje.
Presidenti thotë në kërkesën e dorëzuar në KPA se Fiona Papajorgji është caktuar relatore e kësaj çështjeje më 3 dhjetor 2019, por nuk ka asnjë procesverbal, apo dokumentacion në gjithë dosjen e Gjykatës Kushtetuese që të provojë se caktimi i saj si relatore është bërë në përputhje me rregullat dhe procedurën që kërkon ligji, përmes shortimit.
“Zonja Fiona Papajorgji e ka marrë në dorëzim dosjen gjyqësore të nesërmen më datë 4.12.2019. Në kartelë ka një shënim me këtë përmbajtje “Marrë në dorëzim: Fiona Papajorgji datë 4/12/2019”, si dhe nënshkrimin përkatës. Në dosje nuk evidentohet ndonjë procesverbal i datës 3.12.2019, mbi hedhjen e shortit për rishortimin e kësaj dosjeje. As ndonjë urdhër i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për caktimin e relatores për çështjen. Pra është tërësisht e paqartë dhe e pazbardhur se si i është caktuar zonja Fiona Papajorgji si relatore për këtë dosje. Duke prezumuar kështu faktin që, ose zonja Papajorgji ka shprehur dëshirën, ose është caktuar nga kryetarja e Gjykatës si relatore e çështjes, pa hedhur një procedurë shorti si kërkesë taksative e ligjit”, thotë Presidenca.
Ky fakt, sipas Presidentit Meta, meriton një hetim të plotë disiplinor për t`iu përgjigjur pyetjeve të shumta, veçanërisht nëse: Cila është arsyeja që ka çuar në një shpërndarje të tillë të çështjes së zgjedhjeve vendore 2019? A është shkelur ligji për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese? A ka patur apo shprehur zonja Papajorgji ndonjë preferencë për marrjen e kësaj dosje për relatim, duke qenë se ajo është zgjedhur nga organi i emërtesës – Kuvendi i Shqipërisë në datë 11.11.2019, si kandidaturë e vetme në listën që ky organ ka vlerësuar në dispozicion të dërguar nga KED?
A është shpërndarja e dosjeve pa short në Gjykatën Kushtetuese, një fenomen i izoluar si ky rast i provuar, apo kjo është një mënyrë veprimi me të gjitha dosjet në Gjykatën Kushtetuese, pas muajit nëntor 2019, kohë kjo kur kjo Gjykatë u plotësua me anëtarët e rinj? Nëse ky është një fenomen masiv, atëherë procedimi disiplinor duhet të shtrihet sipas kërkesave të ligjit ndaj kujtdo gjyqtari të përfshirë në këto shkelje profesionale dhe etike.
Në fund të dhjetorit 2019-të, Presidenca thotë se gjatë diskutimeve në mbledhjen e gjyqtarëve, relatorja Fiona Papajorgji ka dalë kundër kalimit të çështjes në seancë gjyqësore publike.
“Në datë 7.4.2021, Mbledhja e Gjyqtarëve tashmë me 7 anëtarë, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike. Fakt është që zonja Fiona Papajorgji, ka votuar kundër kalimit të çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore publike, duke qëndruar në mendim pakice, pozicion ky që i lidhur me veprimet e marrjes së dosjes pa short si relatore dhe me veprimet e mëtejshme të parregullta të kryera nga ky gjyqtar, tregojnë për shkaqe njëanshmërie të kësaj gjyqtare, ç’ka është e papranueshme për figurën e një gjyqtari kushtetues”, vijon Presidenca.
Meta kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të marrin masë disiplinore ndaj gjyqtares Fiona Papajorgji, që mund të jetë vërejtje me shkrim, deri te shkarkimi nga detyra.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, përveç detyrës parësore që ka për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që apelojnë vendimet e marra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kompetencë edhe shqyrtimin e shkeljeve disiplinore të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje