Politike

Meta: Pas 24 korrikut do jem ushtar i vlerave. Opozita, gabime fatale që bëhen 1 herë në 100 vjet

Ditën kur do të lërë Presidencën që është vetëm dy muaj larg, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, tha se do të jetë “një ushtar i paparë”.

 “Unë do kem përgjegjësi të tjera në raport me qytetarët në raport me opinionin publik, do jem një ushtar i paparë i mbrojtjes së vlerave të Republikës si e kam treguar dhe në këtë detyrë”, tha kreu i shtetit.

“Deri në 24 korrik ky institucion do jetë një kështjellë që ka qenë kështjellë e rrethuar ka qenë nga pjellat më të pabesa të këtij vendi.

Por në momentet më kritike të këtij vendi i është bërë thirrje popullit dhe ata janë tërhequr përkohësisht nga vendimet e tyre.

Unë nuk mendoj se jam në gjendje të bëj çdo gjë, nuk kam aftësi çudibërëse.

Përderisa ata ishin të vendosur, të gjithë ata aktorë që unë i kam përmendur t’ia jepnin të gjitha pushtetet një qeverie gangstere, kam qenë i qartë që në 26 prill se çfarë do ndodhte me këtë institucion.

Do thoni ju pse nuk je larguar që në atë moment? Se unë kam bërë një betim mbi Kushtetutën.

Edhe afati kushtetues është pjesë e këtij betimi për mua me rëndësi të kryej me përgjegjshmëri maksimale patriotizëm këtë detyrë deri në 24 korrik.

Pastaj përgjegjësinë për gjithçka sigurisht do e ketë zoti apo zonja presidente e ardhshme që i urojmë suksese.

Unë do kem përgjegjësi të tjera në raport me qytetarët në raport me opinionin publik, do jem një ushtar i paparë i mbrojtjes së vlerave të Republikës si e kam treguar dhe në këtë detyrë”, tha ai.

Presidenti Ilir Meta shfaqi rezerva edhe ndaj një pjese të opozitës duke mos komentuar as procesin e nisur brenda saj për Presidentin e ri

“Nuk kam asnjë këshillë për opozitën se ka bërë gabime fatale, pjesa kryesore e saj me ndërgjegje të plotë, një pjesë tjetër aq e pati thellësinë e gjykimit si ishte djegia e mandateve bojkotoi i zgjedhjeve e bojkoti i reformës në drejtësi.

Këto nuk janë gabime por krime që nuk bëhen një herë në katër vjet, por një herë në 100 vjet.

Nuk kam asnjë kuriozitet për procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë