Me hapjen e qendrave të votimit, presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeparlametarri Gramoz Ruçi, kanë dhënë mesazhet e para për qytetarët pas votimit pranë zonave ku banojnë.
Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishin të parët nga klasa politike që hodhën votën në Njësinë nr.5 në Tiranë vetëm pak minuta pas orarit zyrtar të hapjes së qëndrave të votimit.
Meta e cilësoi një ditë të mrekullueshme dhe zgjedhjet si një mundësi për të ripërtërirë themelet e republikës. “Që ajo të jetë e barabartë për të gjithë. Barazinë para ligjit na e garanton vetëm barazia para votës”, tha Meta.
Presidenti ftoi qytetarët që të dalin të votojnë të lirë, duke zgjedhur alternativën që besojnë se i përfaqëson më mirë, e sidomos kandidatët e ndershëm dhe me integritet. Për Metën, dita e sotme nuk është vetëm ditë zgjedhjesh.
“Sot nuk është vetëm një akt demokratik, por edhe një akt patriotik. Sot atdheu mbrohet me votë dhe me sjellje të qytetëruar, sepse e gjithë bota i ka sytë te Shqipëria. Votoni për ata që do të luftojnë korrupsionin, do t’u shërbejnë juve dhe mbi të gjitha nuk do t’u binden kryetarëve dhe interesave të tyre”, tha Meta.
Ashtu siç ishte parashikuar, kryeministri Edi Rama ka votuar rreth orës 10:30 në zonën e votimit ku banon në Surrel. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Pasi ka votuar, Rama ka deklaruar se qytetarët nuk duhet të ushqejnë asnjë ndiejnë negative, por të gjuajnë penalltinë e tyre.
“Sot është një ditë shume e bukur, një diell fantastik dhe sot është dita që të mos ushqejmë asnjë ndjenjë negativë ndaj askujt që me votën e vet të shprehë një opinion tjetër. Sot jemi një familje e madhe në të njëjtin atdhe dhe askush mos harrojë që demokracia është një sport pa spektatore dhe secili duhet të zbresë në fushë dhe të gjuajnë me votë. Kështu që zbrisni në fushë dhe gjuani penalltinë tuaj dhe ne fund fitoftë me i miri”, tha Rama.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha votoi rreth orës 09:00 në Njësinë numër 8 në Tiranë. Edhe mesazhi i përcjellë prej tij ishte thirrja drejtuar qytetarëve për të votuar.
“Është një ditë historike. Është dita kur të gjithë ne së bashku kemi në dorë fuqinë tonë. Është dita të dilni të votoni masivisht. Është dita e Shqipërisë, dita e demokracisë”, tha ai.
Një mesazh për qytetarët ka dërguar edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili ka votuar në qendrën e votimit pranë Liceut Artistik. Në një mesazh për mediat pas votimit, ai tha se sot është dita e qytetarëve dhe jo e politikanëve dhe shprehu bindjen se sot do të fitojë qytetaria.
“Sot nuk është dita jonë, e politikanëve, sot është dita e qytetarëve. Unë kam bindjen se sot do të fitojë qytetaria e qytetarëve shqiptarë. Ne politikanët duhet të heshtim, të ndjekim procesin dhe t’i nënshtrohemi verdiktit që do japë sovrani. Nga nesër e tutje do ketë një fitues dhe një humbës. Nga nesër, fituesi të administrojë fitoren pa eufori dhe humbësi të administrojë humbjen pa panik”, deklaroi Ruçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje