Në një ambient ku mbizotëronin ngjyrat kuqezi, Presidenti Ilir Meta thirri konferencën e parë për gazetarët që prej vendimit të Kuvendit që e shkarkoi dhe ja përcolli raportin e hetimor Gjykatës Kushtetuese për të thënë fjalën e fundit.
Mes akuzave që ngrenë socialistët në këtë raport janë edhe ajo e përfshirjes në fushatë elektorale dhe nxitja e dhunës. Duke luajtur video dhe foto në një projektor gjigant të vendosur në sallë, Presidenti i hodhi poshtë të dyja këto akuza.
Videoja e parë ishte një deklaratë e Kryeministrit Edi Rama gjatë një aktiviteti të mbajtur para nisjes së fushatës zgjedhore, më 11 mars. Në këtë aktivitet, Rama vuri përballë kandidaturat e ofruara prej PS-së dhe ato të ofruara nga opozita. Mes opozitarëve shfaqet edhe Presidenti Ilir Meta, që vihet përballë ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
“Me kë fiton drejtësia?! Me këtë (Metën), apo me këtë (Gjonaj)? Mos më thoni që ky nuk është deputet. Ky është kryedeputeti i asaj skuadrës tjetër. Etja e vazhdueshme e çon në gulçime të vazhdueshme ku e ka ndalur drejtësinë e re. Sot ky është akuzues (Meta) dhe kjo është e akuzuara e tij (Gjonaj)”, thotë Rama në fjalën e tij.
Si pamje të dytë, Presidenti nxorri një tabelë të shfaqur në Gjirokastër gjatë fushatës, ku shfaqet mes drejtuesve të tjerë të opozitës.
“Ja një nga Billboard-et e vendosura në të gjithë Shqipërinë, ku është edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta”, u shpreh ai.
Meta mohoi se është bërë palë në fushatë dhe se gjatë kësaj periudhe mesazhet e tij janë adresuar për një proces zgjedhor me standarde, të drejtë dhe pa incidente.
“E dimë shumë mirë që Presidenti ka bërë çdo përpjekje për të parandaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve. Jam përëfshirë në fushatë për mbrojtjen e zgjedhjeve. Kam bërë një fushatë për të denoncuar krimin zgjedhor”, u shpreh Meta.
Presidenti përsëriti qëndrimin se nuk e njeh komisionin hetimor dhe as produktin e hartuar prej tij e miratuar më pas nga Kuvendi aktual, për të cilin në më shumë se një rast tha se është shkarkuar që më datë 25 prill.
Meta foli me bindje se shtatori dhe Parlamenti i ri do ta gjejë në të njëjtën detyrë dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me parlamentin, mazhorancën dhe opozitën e re që doli nga zgjedhjet e 25 prillit.
“Nuk kam asnjë shqetësim nga akti i dështuar i Parlamentit të shkarkuar më 25 prill. Unë pres të punoj me shumicën e re, kushdo që të jetë dhe opozitën e re kushdo që të jetë në Parlamentin e ri”, u shpreh ai.
Në shënjestër ishte edhe Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim për vendimin e dy viteve më parë me djegien e mandateve, vendim që sipas tij prodhoi Kuvendin ilegjitim.
“Nuk ekziston më një Kuvend, ai nuk ka ekzistuar asnjë sekond të vetme! Ai Kuvend është turpi i të gjithë atyre që e krijuan me atë që ka ndodhur kur unë kam qenë në Gjermani. Është Kuvendi i faqes së zezë së Shqipërisë dhe i faqes së zezë të atyre që e nxorrën edhe Presidentin e Republikës në pritë. E lanë pa asnjë mbrojte Presidentin”, tha ai.
Meta mbrojti vendimin e qershorit 2019, kur anuloi zgjedhjet vendore, duke thënë se kishte shmangur shpalljen e opozitës organizatë terroriste. Por, më shumë detaje tha se do të japë pasi të përfundojë mandatin 5-vjeçar si President.
“Do të flasim më 25 korrik më shumë për të gjitha këto çështje. Por është fakt që Presidenti ndaloi një gjakderdhje më 8 qershor 2019, që do të shfrytëzohej për të shpallur opozitën shqiptare organizatë terroriste”, deklaroi Meta.
Gjatë fjalës, Presidenti zbuloi një bisedë parazgjedhore që tha se kishte zhvilluar me një kolege joshqiptare.
“I kërkoj falje një kolegeje joshqiptare se më pyeti për një forcë të re politike dhe ja dhashë që atëherë 0.3 për qind, por edhe kjo nuk më doli e saktë, sepse ka pasur diku te 0.5 për qind, edhe kjo për shkak të mbështetjes ndërkombëtare”, tha Meta.
Presidenti nuk zbulon as kolegen joshqiptare dhe as forcën e re politike, por mes forcave të reja që garuan në zgjedhjet e 25 prillit ishte Nisma Thurje, që siguroi rreth 0.6 për qind të votave në rang kombëtar.
Meta përshëndeti vendimin e Presidentit Joe Biden për të luftuar korrupsionin përmes ngrirjes së pasurive të zyrtarëve shqiptarë që Uashingtoni mund të kategorizojë si të korruptuar. Në fund, Presidenti premtoi se do të jetë në zyrë deri më 24 korrik të vitit të ardhshëm dhe ftoi gazetarët që të kenë durim, duke u premtuar dalje më të shpeshta duke filluar prej muajit shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje