Presidenti Ilir Meta u përpoq që të shmangë një koment mbi nismën e Sali Berishës, që thotë se synon t’i rikthejë sovranitetin Partisë Demokratike. Megjithatë, në fund të fjalës para mediave nga Korça, ku ndodhej për një ceremoni vlerësimi për ish të përndjekurit, ai e vlerësoi njeriun, që në më shumë se një rast e ka cilësuar si “pika e tij e dobët”.
“Zotin Berisha është si vera. Sa më shumë koha kalon, aq më tërheqës bëhet, por edhe aq më demokrat bëhet”, tha Presidenti.
Para gazetarëve, Meta komentoi edhe heshtjen relative që e ka karakterizuar pas zgjedhjeve të 25 prilli.
“Pas 25 prillit janë mundësitë reale për rivendosjen e demokracisë. Para 25 prillit kishte zero opozitë në Kuvend”, u shpreh ai.
Protagonizmin e marrë pas djegies së mandateve të opozitës në shkurt të 2019, Meta nuk e cilësoi si zgjedhje të tij, por të detyruar nga rrethanat.
“I gjithë protagonizmi im jo i zakonshëm në dy vitet e fundit, nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta, por ka qenë i imponuar në mbrojtje të demokracisë, Kushtetutës në kushtet e braktisjes nga opozita të të gjitha institucioneve nga opozita dhe përpjekjeve të pandalshme të mazhorancëss për të kapur çdo institucion, në mënyrë të veçantë Gjykatën Kushtetuese, edhe presidentin që para zgjedhjeve dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë dhe ndryshimin për qytetarët”, u shpreh ai.
Presidenti nënkuptoi se nuk do të bëhet pengesë për qeverinë e re të Ramës, që pritet që të shtunën të betohet para tij.
“Do të respektoj Kushtetutën e Shqipërisë. Jam i detyruar të respektoj Kushtetutën. Askush nuk duhet të presë që Presidenti të marrë përsipër detyra që u takojnë aktorëvetë të tjerë politikë. Opozita të përmbushë misionin e saj në Parlament”, tha ai.
Sa i takon temës së sovranitetit, Meta ndau bindjen se kjo do të jetë fjalë kyçe në dekadat që vijnë në vend. Mbrojtja e këtij sovraniteti, sipas Presidentit, nis që me votën duke mos e shitur e tregtuar atë. 25 prillin, Presidenti e lexon si një hap të mirë në këtë drejtim, ndërsa premtoi se në të ardhmen do të ketë të tjera hapa edhe më të mëdhenj, edhe më të shpejtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje