Politike

Meta refuzon Komisionin Hetimor: Nuk ekziston!

Presidenti Ilir Meta nuk do të shkojë në Komisionin Hetimor Parlamentar, që i kishte lënë afat për t’u dëgjuar këtë të hënë. Përmes një shkrese dorëzuar Kuvendit, Presidenti u bën me dije deputetëve se për të, ky Komision nuk ekziston.

“Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet në përgjigjen e dorëzuar në Kuvend.

Presidenca e cilëson ftesën e Komisionit për ta dëgjuar Metën si përpjekje për t’u legjitimuar.

“Është një përpjekje e radhës e Kuvendit për të bërë të duket sikur po ndiqet një proces i ligjshëm, ndërkohë që siç dhe Kuvendi është në dijeni, ky proces ka nisur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe ligjin”, thotë Presidenca.

Presidenti thotë se Komisioni e humbi mundësinë e dëgjesës.

“Kuvendi i Shqipërisë e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohuar këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht”, thuhet në përgjigjen që i është kthyer Kuvendit.

Meta akuzon se Komisioni po përgatit dosje fiktive, përmes njoftimeve të parapërgatitura me qëllim që të duket sikur po zhvillon një proces që respekton procedurën. Letra e Presidentit Meta mbyllet me thirrjen për reflektim drejtuar deputetëve.

“Që veprimtarinë e tyre në kushtet e afrimit dita-ditës të përfundimit të mandatit, duhet ta ushtrojnë vetëm në përputhje me rendin e brendshëm juridik”, mbyllet letra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë