Politike

Meta sqaron takimin me Soros: Nuk fola për mini-Shengenin! Asnjë takim nuk ma ndryshon axhendën

Një shkrim i Kastriot Islamit mbi vizitën e fundit të Aleks Soros në Tiranë dhe takimin me Presidentin Ilir Meta ka nxitur kreun e shtetit që të reagojë për herë të parë për përmbajtjen e bisedës që ka zhvilluar me përfaqësuesin e Fondacioneve “Shoqëria e Hapur”.

“I mirëkuptoj reagimet emocionale të sinqerta apo të nxitura, lidhur me takimin tim me z.Aleksandër Soros, Zëvendëspresident i Fondacionit “Shoqëria e hapur”, të bërë publik nga Zëdhënësi im z.Blushi. Nuk më dukej me vend të reagoja ndaj tyre, por pas shkrimit të z.Islami, i cili veçse intelektual i njohur, është edhe ish-ministër i Jashtëm, më duhet të sqaroj disa rrethana dhe të shuaj çdo keqkuptim”, thotë Presidenti përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.

Në shkrimin e tij, Kastriot Islami hedh dyshime mbi qëllimin e vërtetë të vizitës së Aleks Sorosit në Shqipëri, në të njëjtën kohë që Tirana mbante takimin e radhës për të ashtuquajturin “Shengen Ballkanik. Sipas Islamit, takimi i tij me Metën është vetëm për maskim.

“Aleks Soros, për më tepër i ndodhur në Tiranë në këtë ditëlindje jo të këndshme për shqiptarët ka ardhur për t’u takuar më së pari me Vuçiç, pastaj me Ramën, e më së fundmi edhe me Zaev, duke e përdorur ndoshta Metën thjesht si maskë. Aleks Soros, në realitet ka ardhur në Tiranë, për të vazhduar të bashkërendojë qëndrimet e veprimet mes Vuçiç, Ramës dhe Zaev për Mini-Shengenin ballkanik, një nismë me origjinë serbe, duket e mbështetur nga Rusia, por çuditërisht edhe nga Soros, e thuhet edhe nga aktorë të tjerë që deri më sot nuk janë shprehur ende qartësisht”, shkruan ndër të tjera Kastriot Islami në analizën e tij.

https://www.facebook.com/notes/kastriot-islami/soros-n%C3%AB-tiran%C3%AB-rastesisht-apo-p%C3%ABr-mini-shengenin/10156736482836016/

Presidenti Ilir Meta nuk e hedh poshtë këtë konstatim të Kastriot Islamit, por thotë se takimi ishte derivat i akuzave që ai ngriti për rolin e Fondacionit “Soros” në muajin korrik për kapjen e sistemit nga ana e Kryeministrit Edi Rama.

“Unë nuk i di arsyet e vizitës së z.Soros në Tiranë dhe as kam pyetur për to, pasi Shqipëria është e hapur për t’u vizituar nga të gjithë. Ajo që di është se nga muaji korrik kur unë bëra publike disa akuza për rolin e Fondacionit “Shoqëria e hapur” për kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministri ka patur disa kërkesa zyrtare për takim nga përfaqësues të këtij Fondacioni, në veçanti për të sqaruar pozicionin e tyre lidhur me Reformën në Drejtësi”, thotë ai.

Presidenti vijon më tej duke deklaruar se nuk ishte në karakterin e tij që t’i shmangej këtij takimi, ndërsa mohon se mes tij dhe Aleks Soros është diskutuar për Shengenin Ballkanik. Në vend të kësaj, flet për tre tema ku është përqëndruar biseda.

“Tema e të ashtuquajturit “Mini-Shengen” nuk ka ekzistuar në takim. Tre temat që unë jam përqëndruar kanë qenë kapja e drejtësisë nga Kryeministri, përkeqësimi i lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë. E vetmja temë që nuk u përmend nga zëdhënësi im ishte ajo e menaxhimit të pasojave të tërmetit”, deklaron Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2692208187492104

Sa i takon Shengenit Ballkanik, Meta kujton se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë.

“Çdo iniciativë rajonale është e dobishme kur është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, kur udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, kur sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje, ndërsa për qëndrimin tim ndaj shtetit të Kosovës dhe Pavarësisë së saj të gjithë e dinë qëndrimin tim. Aq më tepër për Taksën e Kalimashit”, deklaron ai.

Presidenti e mbyll sqarimin duke përcjellë mesazhin se takimin me Aleks Soros nuk e ka lëkundur nga bindja për organizimin e një referendumi në mbrojtje të Kushtetutës.

“Asnjë takim nuk e ndryshon axhendën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe përkushtimin e tij për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve shqiptarë përmes garantimit të zbatimit të referendumit si e drejtë kushtetuese”, mbyllet deklarata e Presidentit Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë