Politike

Meta: Të shkrihet bordi i çmimeve, po rrjep shqiptarët

Duke iu referuar faktit që çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare është nën nivelin e çmimit që ishte para nisjes së luftës në Ukrainë, Partia e Lirisë doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar bordin e çmimeve.

Në këtë konferencë, Ilir Meta dhe Petrit Vasili akuzuan bordin se po rrjep pa mëshirë shqiptarë çdo ditë. Meta e Vasili i kërkuan Qeverisë që të ndërhyjë te taksat për të ulur çmimin.

“Kudo merren masa për të mbrojtur qytetarët, për të mbrojtur konsumatorët, për të mbrojtur sipërmarrjen. Vetëm këtu punohet në funksion të kryeoligarkut Edi Rama dhe të gjithë ogiqëve të tij në çdo sektor. 50 për qind ulje të akcës së naftës në Mal të Zi, këtu jo”, tha Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë përsëriti kërkesën për të pezulluar taksën e qarkullimit dhe të karbonit.

“Asnjë reflektim. Ça ndodh me taksën e qarkullimit që paguhet për çdo litër naftë. Grumbullohen rreth 200 mln euro në vit nga kjo taksë, por përdoren vetëm 20 mln euro për mirëmbajtje. Ku shkojnë 180 mln të tjera, shkojnë në kostot e fryra të PPP-ve dhe koncesioneve”, tha Meta.

Petrit Vasili foli në këtë konferencë për propozimin për të ndërhyrë te taksat e naftës.

“Ndërhyrje te taksat kanë bërë të gjithë vendet e perëndimit dhe rajonit. Mekanizmi për këtë çështje është shkrirja e bordit të rrjepjes dhe ndërhyrja te taksat, sepse këto para po vazhdojnë të futen në mënyrë spekulative, ndërkohë që instrumentat për të marrë me çmimin që i takon i kanë në dorë. Shkrirja e bordit mafioz dhe ndërhyrja të taksave, që nuk cenon aspak nivelin e të ardhurave. Por ata duan të vazhdojnë që të vjedhin për të paguar ata bosët e inceneratorëve e me radhë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë