Politike

Meta-Thaçi-Haradinaj, rakia bën bashkë “armiqtë” e kufirit

Hapja e sezonit të vjeljes së rrushit në zonën e Rahovecit në Kosovë ka bërë bashkë Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin, të cilëve në këtë festë u është bashkuar edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Në mesazhin e përcjellë me këtë rast, Kryeministri i Kosovës u premtoi mbështetje fermerëve dhe gjithë prodhuesve vendas duke u zotuar për politika që do të mbrojnë prodhimin e tyre. Njëra prej këtyre politikave mbrojtëse, është edhe taksa 100 për qind për prodhimet serbe, për të cilën Hashim Thaçi ka kërkuar heqjen.

“Në mbështetje 100% të vreshtarëve, fermerëve dhe afaristëve të Rahovecit! Do të vazhdojmë me lehtësira tatimore dhe me politika fiskale në mbështetje të prodhimit vendor. Gjithmonë në krah të rahovecjanëve për një jetë më të mirë e më të dinjitetshme. Të përcaktuar 100% edhe në luftën kundër korrupsionit, krimit e nepotizmit, por të vendosur poashtu që në luftimin e këtyre dukurive, të jemi të sinqertë deri në fund”, shkruan kryeministri i Kosovës.

Mesazhi i përcjellë nga Presidenti Ilir Meta ishte i kujdesshëm, për të mos u përfshirë në debatin e brendshëm të politikës në Prishtinë. Por, një këshillë Meta e dha.

“Shpresoj që shkëmbimet mes dy vendeve tona të rriten edhe më tej, në të gjitha aspektet, në radhë të parë përsa u takon prodhimeve të bujqësisë dhe zhvillimeve të agro-turizmit. Duhet të mësojmë më shumë nga njëri-tjetri!”, thotë ai.

Edhe Hashim Thaçi u qëndroi larg qëndrimeve politike në këtë datë.

Kjo është ndër të paktat dalje të përbashkëta mes tre politikanëve, që ndajnë qëndrime të ndryshme sa i takon idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ramush Haradinaj dhe Ilir Meta e kundërshtojnë këtë, ndërsa Hashim Thaçi e mbështet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë