Presidenti Ilir Meta i kërkon popullit të dalë me dy Mars në shesh. Ndërsa vëmendja politike dhe mediatike është fokusuar tek kjo datë, mbeten ende të hapura disa llogari për një tjetër protestë, që gumëzhoi disa muaj, vitin e kaluar. Shumica e tyre u konceptuan si marshime me itinerar të pandryshuar; kryeministri – parlament, ku pati jo pak përplasje dhe incidente. Hedhje gurësh e sendesh të forta, shashka apo edhe bomba molotov nga njëra palë, dhe gaz lotsjellës nga pala tjetër. Një nga këto protesta duket se nuk është harruar nga një qytetare e cila sic mëson Gazeta ”Si” i është drejtuar Avokatit të Popullit përmes një ankese. Sipas burimeve për gazetën, ajo quhet Beneta Shena. Sic thotë një nga ekspertët e Avokatit të Popullit prej muajsh avokati kërkon të zbulojë se përse cështja nuk u hetua.
Ankesa e gruas lidhet me protestën e datës 16 mars 2019. Thuajse një vit më parë, por që, për qytetaren e cila ka bërë ankesën, ashtu edhe për Avokatin e Popullit, kjo nuk ka rëndësi, por ngjarja.
Bëhet fjalë për një nga momentet kur blindat nga ana e policisë lëshuan shi-hedhës, por edhe gaz lakrimogjen në afërsi të Kuvendit.
”Kur gjendesha pranë qendrës tregtare “Toptani”, erdhën forcat e ndërhyrjes së shpejtë me blinda dhe hodhën ujë me presion mbi protestuesit. Një punonjës i FNSH-s u afrua dhe me sprajt dore më hodhi gaz në sy dhe në trup disa herë”, rrëfen gruaja.
Ankuesja pretendon se pas këtij momenti, ajo ka humbur ndjenjat dhe për këtë arsye është dërguar me auto-ambulancë në spital. Sipas shkresës që Gazeta “SI” disponon, Avokati i Popullit sqaron se i është kërkuar shpjegim Shërbimit të Urgjencës të Sëmundjeve të Brendshme në spitalin “Nënë Tereza” për situatën e saj. Shkresa mban numrin 1440/2 dhe në të konfirmohet që zonja Shena ka marrë shërbim në spital në ditën që ajo pretendon se ka humbur ndjenjat. Sipas rregjistrit numër 16971 ajo ka dalë nga urgjenca në orën 16.25. Diagnoza e pasqyruar në kartelën klinike është; intoksikacion nga gazi lotsjellës. Por, në një tjetër shkresë Avokati i Popullit i kërkon informacion edhe Drejtorisë vendore të Policisë së kryeqytetit ku vihet në dijeni se Shena nuk ka dorëzuar asnjë kallzim ndaj policisë. Në këto kushte, komisionerja e Avokatit të Popullit, Ermonela Ruspi, i drejtohet prokurorisë për tu informuar nëse protestuesja ka dorëzuar apo jo një denoncim pranë akuzës për veprimet e policisë. Shkresa është dërguar nga Avokati i Popullit në datën 21 shkurt të këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje