Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka gjetur që me mëngjes një takim me temë “Të rinjtë në aktualitetin politik”, të organizuar nga Këshilli Rinor i Ballkanit, për të thënë se vendit i duhet një ndryshim i fortë dhe se këtë mund ta bëjë vetëm rinia.
“Doja të kthehesha 30- vjet prapa kur isha student dhe pjesë e lëvizjes studentore që soli pluralizmin politik në Shqipëri.
Një moment që duhet ta kujtojmë e të reflektojmë të gjithë. Unë e kujtoj se kam dhe një konkluzion sot pas 30 vitesh që në rast se të rinjtë e saj kohe do kishin pritur ndryshimin nga prindërit tanë s’do ndodhte kurrë, se prindërit tanë dhe për shkak të regjimit që ishte dhe shumë kufizimeve e frenimeve që ka një prind dhe kurrë s’ndërmerr hapa të tillë të guximshëm që mund të sjellin ndryshime të mëdha në shoqëri”, tha Meta dhe jo pa qëllim.
Në një kohe kur vendi është përfshire në disa protesta pa kokë që nisi fillimisht në shenjë proteste ndaj vrasjes së Klodian Rashës, Meta thotë nga ana e tij se, “ndryshimet i bëjnë të rinjtë në emër të ëndrrave të tyre, reagimit ndaj padrejtësive”.
“Ky është mesazh që vlen në cdo kohë. E theksoj sot se mendoj që vendi ka nevojë për ndryshim të madh e të forte. Ky duhet të vijë nga të rinjtë se pas 30 vitesh shohim që ky sistem që kemi ndërtuar apo deformuar ne, të gjithë bashkë shtyp ëndrrat e të rinjve, është bërë pengesë për të ardhmen e të rinjve në vend”.
Kur protesta nuk po ka më një qëllim të qenësishëm dhe është e shpërndarë kryesisht në disa grupe adoleshentësh, Meta i ka ftuar të rinjtë që të mos kenë frikë nga ndryshimi.
“Kjo pjacë politike s’ka më ça t’i ofrojë të rinjve se po të ishte do ia kishte ofruar me kohë, se i ka pasur të gjitha mundësitë si në drejtim të edukimit, tregut të punës, sportit e kulturës.
E gjithë jeta e të rinjve s’mund të mbetet në lokale e disko, është bërë pothuajse asgjë për start up ndërkohë që ky duhet të ishte një ndër prioritetet kryesore dhe në drejtim të edukimit e nxitjes së të rinjve për t’i mbajtur të rinjtë këtu e për të siguruar punë e aktivitet me fitim të konsiderueshëm”.
Meta i bëri thirrje dhe partive politike të kenë në listat e tyre më shumë të rinj.
“I nxis të marrin pjesë në politikë e të mos presin nga askush përfshirë dhe nga Ilir Meta që të ndryshojnë të ardhmen e tyre.
E dyta të mbështesin njëri tjetrin se kanë probleme e sfida të përbashkëta e duhet të përcaktojnë qëllime strategjike për të ardhmen e tyre.
Partitë i nxis të kenë sa më shumë të rinj të edukuar formuar përgjegjshëm e me vizion në listat e tyre për deputetë e këshilltarë e çdo vendimmarrje
Ky është vendi i tyre, ata janë 20-30 vjeçarë ata kanë perspektiva kudo mund të ikin jashtë të gjejnë punë më të mirë por atdhe nuk do gjejnë askund tjetër”, tha ai.
Kreu i shtetit foli edhe për shpopullimin e vendit.
“Nuk është paranojë e imja, por realitet me fakte konkrete. Nuk kemi të bëjmë me një emigrim normal për një eksperiencë apo mundësi më të mirë por është termi më i gjetur shpopullim dhe term që duhet adresuar me politika konkrete jo thjesht retorikë. Jemi në një situatë të tillë kur e vetmja zgjidhje që të rinjtë shohin si emergjencë ekonomike familjare e personale është largimi nga vendi pa dëshirën e tyre”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje