Politike

Meta zbulon arsyet e humbjes: Ndryshimi që meriton populli është i pashmangshëm!

Ashtu edhe si edhe Sali Berisha edhe aleati i tij, Ilir Meta ka fajësuar “narkoshtetin që i fitoi zgjedhjet me presione e kërcënime dhe me blerje votash”.

Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale u shpreh se “zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri u asgjësuan që pa filluar, duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke hequr komisionerët dhe numëruesit e opozitës, duke përdorur tatimorët për presion ndaj çdo biznesi, duke kërcënuar votuesit e opozitës me gojën e kryeministrit, për pasojat që do të kishin nëse votonin për opozitën”.

Një tjetër pretendim i Metës është problemi me identifikimin elektronik të zgjedhësve, që sipas tij i shndërroi “qendrat e votimit në vende ku u dhunua hapur ligji dhe ku u ushtrua presion i pashembullt duke u mbushur me qindra drejtorë ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë bashkie, administratorë komunash e nëpunësa gjithfarësh, përfshirë dhe policë e banditë”.

“E gjithë kjo me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe të narkotrafikantëve, që fatkeqësisht u bënë njësh me Policinë e Shtetit. Shqiptarët dhanë një mesazh shumë të rëndësishëm guximi duke marrë pjesë në këto zgjedhje dhe duke u përballur me presionin mafioz të narkoshtetit. Narkozgjedhjet i nxorën në shesh hapur të gjithë narkomanipuluesit e qeverisë, të cilët janë të evidentuar me emër dhe mbiemër. Çdo veprim i tyre është evidentuar dhe mijëra fakte rëndojnë mbi ta. Euro humbi 10% të vlerës, aq shumë është përdorur ajo për të influencuar votuesit. Populli shqiptar është shumë më i madh se sa narkoqeveria dhe Demokracia e Ndryshimi që ai meriton, është i pashmangshëm. Asnjë narkozgjedhje nuk mund të mbajë peng lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë