Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që vendet e Ballkanit Perëndimor kandidate për anëtarësim të kenë një zë gjatë mbledhjeve të Këshillit Europian kur diskutohen çështjet e integrimit të rajonit.
Ky zë do t’u garantohet, sipas asaj që tha Charles Michel, që në samitin e radhës që mbahet në fund të qershorit.
Presidenti i KE deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp se udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë të ftuar në këtë samit në pjesën kur do të diskutohet tema e zgjerimit.
“Kryeministri (Rama) më tha se sa e rëndësishme është të përfshijmë udhëheqësit e vendeve të rajonit që t’i kemi me 27 udhëheqësit të BE. Po zbatojmë këtë qasje për të pritur për një vendim përfundimtar për anëtarësimin në BE. Një ide shumë pranë e këtij koncepti është ajo e ‘anëtarëve të asociuar’, pra qasje e përafërt që të kemi formatet e duhura që të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë vështirësitë dhe si të kujdesemi për njëri-tjetrin. Të jemi konkretë dhe operacionalë, prandaj e ritheksova mbështetjen time personale për iniciativën e Ballkanit”, tha Michel.
Rama tha se kjo ide hedh një hap më tutje duke integruar menjëherë rajonin në aspektin politik. Kryeministri mbështeti edhe propozimin e Macron për komuniteti e ri politik europian. Ky propozim synon që të bëjë bashkë të gjitha vendet e Europës që ndajnë të njëjtat vlera e parime me BE.
“Ideja e anëtarit të asociuar të BE-së është një ide që po merr mbështetje gjithmonë e më shumë. Unë e mbështes vizionin e Presidentit të Francës për këtë Komunitetin e ri Politik të Europës. Të gjithë të jenë të përfshirë dhe kështu sigurisht për sa na takon edhe më afër Bashkimit Evropian. Kjo do t’i jepte fund të gjitha spekulimeve dhe paranoja që BE po na mban aty larg”, u shpreh Rama.
Michel u pyet në këtë konferencë nëse ishte e drejtë që Shqipëria të mbahej peng prej Maqedonisë së Veriut dhe e anasjella. Presidenti i KE u përgjigj shkurt se ‘jo’, ndërsa mbështeti nismën e Ballkanit të Hapur dhe ftoi të gjitha vendet e rajonit që të bëhen pjesë.
“Unë e mbështes Ballkanin e Hapur sepse më të mëdha do të jenë aftësitë për të forcuar strukturat ekonomike politike. Kjo do ta lehtësojë afrimin e BP me Europën. Është dhe çështja energjetike që është gjeopolitike për aftësitë blerëse. Duhet bërë ky hap integrimi duke u mbledhur të gjithë në një tryezë që të kemi inteligjencë kolektive të përbashkët”, tha Michel.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin se nëse Shqipëria nuk merr datë as në qershor do të kërkojë ndarjen në këtë proces nga Maqedonia e Veriut.
“Ne nuk preferojmë të ndahemi për sa kohë ka ende hapësirë që të mendohet se Bullgaria mund t’i hapë rrugën. Gjysmë milionë shqiptarë e kërkuan në Këshillimin Kombëtar që nëse në qershor nuk marrim negociatat, jemi të lirë të kërkojmë daljen nga bllokimi që Bullgaria i ka bërë Maqedonisë së Veriut. Ky do të jetë qëndrimi ynë, por deri në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian qëndrimi ynë do të jetë që negociatat duhet të hapen me të dyja”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje