Futboll

Milani i parakalon të gjithë për Herrerën, një lojtar me “mik” për Juven

Milani është shumë pranë një tjetër goditjeje të rëndësishme në merkato. Klubi kuqezi është afër akordit me kapitenin e Meksikës, Hektor Herrera, mesfushorit që i skadon kontrata me Porton në fund të sezonit. Një futbollist me nivel të lartë, që do ta ndihmonte shumë grupin e drejtuar nga trajneri Gatuzo. Milani ka vuajtur në mesfushë, ku Herrera do të rregullonte shumë ekuilibra.

Drejtuesit e Milanit kanë intensifikuar kontaktet me Gabriel Moraes, prokuratorin e lojtarit. Kuqezinjtë kanë parakaluar Interin dhe Romën për meksikanin, duke përfituar nga fakti se të dyja këto skuadra kanë paqartësi sa i takon të ardhmes së trajnerit. Spaleti e ka dashur Herrerën, kurse Konte, i cili mund të marrë drejtimin e Interit, mund të mos jetë dakord për këtë blerje. E njëjta gjë vlen edhe për Romën. Në këtë situatë Milani është i favorizuar, ndaj dhe akordi është shumë afër mes palëve. Herrera është një mesfushor shumë i fuqishëm dhe ka përvojë të mjaftueshme për të qenë titullar te Milani, pasi luan rregullisht në Champions League me Porton.

James Rodriguez dhe Kristiano Ronaldo, kur luanin bashkë te Reali

Edhe Juventusi pritet të afrojë shumë shpejt një futbollist të njohur, kolumbianin James Rodriguez. Sulmuesi është një mik i Kristiano Ronaldos dhe ky fakt e bën edhe më të mundshëm kalimin e tij nga Bajerni, ku është huazuar nga Real Madrid, te Juventusi. E ka pranuar edhe babai i lojtarit, Uillson Rodriguez, i cili për “Bild” është shprehur: “James është shumë mik me CR7 dhe Juventusi do të ishte zgjedhja e duhur për të. Ka pasur shumë oferta, por për mendimin tim, futbolli italian do të ishte më i përshtatshëm”. Fantazisti kolumbian ka pasur një përplasje kohët e fundit me trajnerin e Bajernit, Niko Kovaç, për shkak të minutazhit të paktë, ndaj dhe largimi i tij nga Gjermania duket gjithmonë e më i sigurt. Edhe sipas spanjolles “Marca”, Ronaldo e ka kontaktuar mikun e tij Rodriguez, me të cilin ka luajtur te Reali, që të shkojë në Torino.

Duke folur gjithmonë për merkaton, edhe Napoli i Ançelotit është pranë një blerjes së yllit meksikan të PSV-së, Lozano. Një lojtar shumë i kërkuar edhe ky dhe që me shumë mundësi do të kalojë në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë